Bayern Munich e ka vendosur objektivin e madh për këtë verë teksa drejtuesit bavarezë kërkojnë me ngulm të transferojnë në Bundesliga, Mathijs De Ligt.
Rekordmenët gjermanë kanë gjetur marrëveshjen me yllin holandez teksa tashmë një detyrë e vështirë është ajo e të bindurit Juventusin.
Për këtë qëllim, në Torino zbarkoi drejtori sportiv i bavarezëve, Hasan Salihamidzic që pati një takim me krerët italianë, ku u diskutua mbi vleren e kartonit të De Ligt.
Së fundmi, është bërë publike edhe shuma që Bayern ka vendosur në tavolinë për De Ligt teksa bëhet fjalë për një ofertë që prek shifrën e 60 milionë eurove.
Shumë larg nga shuma prej 100 milionë që pretendojnë bardhezinjtë, të cilët në vitin 2019 shpenzuan plot 80 milionë për ta transferuar nga Ajax.
Gjithsesi, kjo ishte vetëm oferta e parë nga Bayern, pasi bavarezët e dëshirojnë me çdo kusht 22-vjeçarin dhe në vijim pritet të ngrejnë edhe më shumë ofertën ndërsa italianëve do t’i ofrojnë edhe një sërë bonusesh Juves.
Megjithatë, e sigurt është se për momentin nuk ka akord dhe takimi i Salihamidzic me drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” nuk rezultoi frytdhënës për asnjërën palë. /Telegrafi/