Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, ka ndërmarrë një aksion të gjerë hetimor në tri lokacione të ndryshme, në kuadër të hetimeve për shpërthimin e ndodhur më 30 prill 2025 në parkingun e QKUK-së, ku u dëmtua vetura e drejtorit të këtij institucioni.

“Në zbatim të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, janë realizuar bastisje në tri lokacione – dy në Prishtinë dhe një në fshatin Rimanishtë”, ka bërë të ditur Policia në njoftimin zyrtar.


Gjatë operacionit janë ndaluar 11 persona të dyshuar, ndërsa janë sekuestruar dëshmi të shumta materiale, përfshirë drogë, armë, municion, telefona dhe pajisje tjera të cilat dyshohet se kanë lidhje me veprimtari kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), gjatë bastisjeve janë konfiskuar këto prova materiale:

Në rrugën “Fan Noli” në Prishtinë: një telefon iPhone 12, një laptop Lenovo, dhe dokumente të ndryshme.

Në rrugën “Pavarësia”: katër telefona Samsung, një iPhone 14 Pro Max, një palë pranga metalike, një radio lidhje Baofeng si dhe gjashtë fishekë të kalibrit 9x19 mm.

Në fshatin Rimanishtë: një pistoletë Sig Sauer, një armë automatike AK-47 me pesë karikatorë dhe 99 fishekë, tri telefona, një thikë (bajonetë) dhe një sasi e konsiderueshme e substancës narkotike (dyshohet për marihuanë), së bashku me mjete për kultivim dhe përpunim.

Policia thekson se gjatë kontrollit në këtë lokacion, ka ndërhyrë edhe njësia e Antidrogës, e cila ka marrë në kompetencë trajtimin e mëtejshëm të rastit.

“Janë konfiskuar 142 kg e 172 gramë substancë narkotike (Kanabis Sativa) në fazë përfundimtare të përpunimit,” thuhet në njoftim.

Në total, janë sekuestruar: Një armë zjarri Sig Sauer me 12 fishekë, një armë automatike AK-47, pesë karikatorë dhe 99 fishekë, dhjetë telefona celularë dhe pajisje të tjera të rëndësishme për hetim

Gjithashtu, gjatë verifikimit të njërit prej të dyshuarve, F.D., është konstatuar se ndaj tij ekzistonte një urdhër arrest aktiv për çështje të narkotikëve. Ai është dërguar menjëherë për vuajtje të dënimit, me vendim të prokurorit.

Pas intervistimit të të dyshuarve dhe konsultimeve me prokurorin kompetent.

“Nëntë persona janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj të tjerëve procedurat janë ndarë në raste të veçanta dhe janë njoftuar njësitë përkatëse për trajtimin e mëtejshëm të tyre”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka deklaruar se do të vazhdojë veprimet në koordinim me organet e drejtësisë për ndriçimin e plotë të rastit dhe për vënien e personave përgjegjës para drejtësisë. /Telegrafi/