Bashkia e Tiranës: Largohet një drejtor dhe 17 punonjës

Drejtori i drejtorisë se konvikteve u njoftua se duhet të largohej nga puna , për shkak të ndërprerjes së kontratës së punës dhe 17 drejtuesit e automjeteve u larguan nga puna me motivacionin e shkëputjes së kontratës individuale të punës, shkruan e përditshmja Shqip.
Drejtuesit e automjeteve ishin punëtorë të bashkisë, të cilët paraqiteshin kur ndonjërit prej punëtorëve të bashkisë u nevojitej transport. Bashkia e Tiranës tha se “ ligji për transportin e zyrtarëve të lartë miratuar në vitin 2009 duhej të zbatohej edhe nga pushteti vendor.”
Ligji i miratuar rreth dy vjet më parë synonte shkurtimin e shpenzimeve, pagave të shoferëve dhe karburantit të shpenzuar nga zyrtarët e lartë për transportin e kryer prej tyre.
Kryetari i grupit të këshilltarëve bashkiak për Partinë Socialiste, Aldrin Dalipi tha se “ka nisur një spastrim që mund ta konsideroj pushtim të institucionit dhe ata që po hiqen nga puna janë familjarë, punonjës të shtetit.”
“Ne do të mbajmë qëndrimin tonë në mbledhjen e ardhshme të këshillit bashkiak, për të denoncuar spastrimin masiv antiligjor të punonjësve në bashki, por dhe për cështje të tjera të cilat po evidentohen nga dita në ditë”, nënvizoi zoti Dalipi. /Telegrafi/





















































