LAJMI I FUNDIT:

Basha: 30 qershori është i pavlefshëm

Basha: 30 qershori është i pavlefshëm

30 qershori është i pavlefshëm. Çdo produkt i tij është i pavlefshëm. Kështu tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha nga Delvina, duke falënderuar qytetarët që, sipas tij, “iu bashkuan shumicës absolute të 85 përqind të shqiptarëve, të cilët duan ndryshimin”.

Kryetari i PD-së, Basha tha se braktisja e interesit publik për të pasuruar veten dhe një grusht biznesmenësh dhe kriminelësh, është një nga arsyet e refuzimit plebishitar të Edi Ramës më 30 Qershor.

Po ashtu, Basha shprehu shqetësimin e PD për varfërimin e shqiptarëve.


“Ekonomia dhe pasuritë e vendit janë në duart e këtyre pak njerëzve përreth Edi Ramës. Bregdetin ua ka grabitur qytetarëve dhe, me vendime speciale, ua ka dhënë oligarkëve që kanë ndërtuar në toka të vjedhura buzë detit”, tha Basha.

Në fund, Basha tha se angazhimi i tij madhor është t’ua kthejë mirënjohjen shqiptarëve me vepra konkrete për mirëqenien e tyre, kur PD të marrë drejtimin e vendit.