LAJMI I FUNDIT:

Barroso: Mbështesim punën e treshes për Kosovën

Barroso: Mbështesim punën e treshes për Kosovën

Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ka deklaruar të enjten se, Bashkimi Evropian inkurajon Prishtinën e Beogradin që të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në negociatat për statusin e Kosovës, dhe se, më 10 dhjetor pret raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Barroso, pas bisedës me presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, ka theksuar se, duhet të ketë stabilitet në Ballkan, sepse Unioni beson në perspektivën evropiane të këtij rajoni.

"Mbesim pranë agjendës së Selanikut, por nevojitet të evitohet çfarëdo jostabiliteti", ka thënë Barroso dhe ka theksuar që BE-ja mbështet punën e treshes ndërmjetësuese ndërkombëtare, e posaçërisht përfaqësuesin e Unionit në këto negociata, Wolfgang Ischinger.

Përderisa, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka theksuar se, Shqipëria do të jetë e kujdesshme kur bëhet fjalë për statusin e Kosovës. Ai ka falënderuar BE-në për kontributin e saj kur bëhet fjalë për statusin e Kosovës, duke menduar në rolin e Martti Ahtisaarit dhe Ischingerit.


"Jemi të bindur që zgjidhja e statusit të Kosovës do t’i kontribuojë stabilitetit në Ballkan. Shpresojmë në një zgjidhje të mirë, por në çdo rast do të duhej t’i kthehemi planit të Ahtisaarit", ka thënë presidenti shqiptar, Bamir Topi.