Barometri i krizës evropiane: “Treshe” për krizën Kosovë-Serbi dhe për krizën shqiptaro-maqedonase

Ballkani si vatër krize kryesisht është në shuarje - thuhet në raportin e publikuar së fundmi nga Instituti për Kërkime të Konflikteve në Heidelberg. Sipas të ashtuquajturit “Barometër të konfliktit”, numri i përgjithshëm i konflikteve në Evropë më 2012 ka mbetur në të njëjtin nivel si në vitin e mëparshëm: në shifrën 58, transmeton Telegrafi.
Për çfarë evropianët përlahen më shpesh, e mbase edhe rrihen? Në radhë të parë janë kërkesat për autonomi dhe ndarje (14 raste). Pasojnë pastaj konfliktet për të krijuar dominim ndërkombëtar, grindjet mbi territorin dhe debati i pazgjidhur rreth çështjeve sistemore-politiko-ideologjike.
Metoda me të cilën instituti përcakton listën vjetore, bazohet në vlerësimet që u jepen zonave të konfliktit. "Njëshi" do të thotë diskutim i rregullt ose konflikt i zëshëm në Parlament, “dyshi” nënkupton krizën e padhunshme, “treshi” krizën me dhunë, “katërshi” luftën sporadike, ndërsa “pesëshi” luftën”.
Lajm i mirë është që të paktën këtë herë askush në Evropë nuk ka “pesëshe”, por “tresha” e “njësha”. “Katërshja” e vetme është në Kaukazin verior në Rusi.
Vlerësimi më i keq për Jugosllavi u është dhënë konflikteve Kosovë-Serbi, dhe atyre shqiptaro-maqedonase në Maqedoni. Këto kanë marrë “treshe”, pra futen në “konfliktin me dhunë”.
Në këtë pikë autorët kanë futur edhe tendencat. Kështu, vlerësimi është se konflikti Kosovë-Serbi po stagnon, kështu që ky “tresh” është i intensitetit më të ulët se “treshja” e fortë për krizën shqiptaro-maqedonase që ka tendenca të rritjes.
Kur është fjala te konflikti Kosovë-Serbi, ky konflikt sipas institutit është konflikt mes dy shteteve: të qeverisë së Kosovës me qeverinë në Serbi.
Zona e krizës në Luginën e Preshevës, ku shqiptarët po hapin çështjen e autonomisë, ka fituar një “dysh”. Kjo është vlerësuar si krizë pa dhunë, por me tendencë të rritjes.
Që nga viti 1991, ky institut gjerman publikon "Barometrat e konfliktit”, në kërkim të metodave shkencore të njohjes, klasifikimit, kontrollit dhe zgjidhjes së konflikteve të brendshme dhe ndërshtetërore nëpër botë. /Telegrafi/




















































