Baballarët
Nuk kemi nevojë të brengosemi për asgjë. Ata përkujdesen për të gjitha: që nga sigurimi i dritës e lëvizja e lirë, deri te e ardhmja e fëmijëve tonë. Ne duhet, mundësisht, vetëm të rrimë pa folur. “Për të mirën e Kosovës”!
1.
Fatmir Sejdiu duket se nuk ka kohë të merret me partinë. Sipas Kushtetutës edhe nuk i takon. Në një tubim të LDK-së në Malishevë dërgoi dy djemtë e tij, Bardhylin dhe Yllin. Është kohë parafushate dhe s’duhet humbur rasti. Dy Sejditë i shoqëroi i biri i kryetarit të ndjerë Rugova, Uka.
Në zgjedhjet e kaluara, LDK mbushi qytetet me mega posterë të Rugovës. Por, duket se kjo nuk mjaftoi për t’i fituar zgjedhjet. Kësaj here taktika po ndërron. Më shumë se nga e kaluara, LDK po kthehet kah ardhmëria - e ”baballarëve”.
2.
Hashim Thaçi nuk e ka djalin në moshë për ta dërguar në tubime të partisë. Por, ai është treguar si “baba” i vërtetë kur ka menduar për të ardhmen e të birit dhe fëmijëve të tjerë, duke vendosur për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 2 000 megavatë dhe për dhënien me koncesion 40 vjeçar të minierës së Sibovcit. Me këtë vendim, qeveria ia ka dhënë dritën e gjelbër eksploatimit të pasurisë nëntokësore të Kosovës nga të huajt, ndërkaq Kosova do të përfitojë fare pak para dhe shumë ndotje. Madje, do të vijë puna që blejmë rrymën që prodhohet në tokën tonë. Por, kjo s’është fare me rëndësi. Me rëndësi është se dikush i mbush xhepat miliona nga ky projekt. Gjithmonë nën moton e ”kujdesit prej baballarësh”.
3.
Kur Havier Solana ua përplasi për fytyre lajmin edhe ashtu të pritur se kosovarët do të mbeten si në geto, pa kurrfarë mundësie për të lëvizur lirshëm nëpër Europë, “baballarët e kombit”, Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi, nuk përtuan të përsërisin se “të arriturat e Kosovës në periudhën njëvjeçare të pavarësisë janë spektakulare, në kuadër të ndërtimit të institucioneve demokratike, të sundimit të ligjit, të luftimit të korrupcionit dhe krimit të organizuar… me perspektivë të sigurt në të ardhmen shumë të afërt edhe për liberalizimin e vizave”. Shumë mirë. Vetëm se nuk morën guximin t’ia sqarojnë popullit athua pse vetëm ne ngelëm si n’burg, më keq se Afganistani e Somalia. Më keq se shtetet e prapambetura afrikane. Pse nuk e morën guximin t’ia sqarojnë popullit se fajet janë te ata, sepse as që janë lodhur të punojnë që dy milionë njerëzve t’ua sigurojnë, ose të paktën t’ua lehtësojnë lëvizjen e lirë.
Shoqëria civile dhe opozita nuk u treguan indiferentë ndaj getoizimit. Bile, AAK-ja e Ramush Haradinajt premtoi se liberalizimi i vizave do të arrihet kur ata ta marrin pushtetin. “Ne jemi të sigurt se brenda periudhës së parë të qeverisjes së ardhshme të AAK-së, qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm drejt vendeve të BE-së”, tha një zyrtar partiak. Qysh qenka i sigurt? E sigurt është vetëm se politikanët mund të udhëtojnë pa probleme, e sa për popullin... M’falni, çka është populli?
4. “Babai” i regjisë teatrore kosovare, Fadil Hysaj, dështoi fort në Festivalin e Butrintit. Shkoi të tregojë antikë me “Fedrën”, por u kthye nga atje me krye poshtë. Mediat e shtrinë përtokë, e kritika u tregua më e butë. Hysaj i fajësoi disa fëmijë spektatorë për dështimin. Çapkëna janë këta fëmijët, bëjnë zhurmë e i dekoncentrojnë aktorët! Çfarë arsyetimi banal. Mos do të ishte më mirë që Hysaj t’i ndërronte ndonjëherë disa nga aktorët që me vjet i merr të luajnë në shfaqjet e tij? Edhe “baballarët” gabojnë ndonjëherë, apo jo? Pavarësisht se mund të pretendojnë se gjithçka e bëjnë për të mirën e partisë, të mirën e Kosovës dhe të ardhmen e fëmijëve tonë.
(Editoriali i gazetës “Profil”)









































