LAJMI I FUNDIT:

Aventura e krijimit të një moratoriumi

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, që nga 26 korriku, vazhdon të përsërisë refrenin e njëjtë patriotik: “Nuk do të ketë kthim prapa në veri të Kosovës”. Kryeministri ka të drejtë në këtë drejtim, por çfarë ka lëvizur përpara atje që nga nata, kur u urdhërua tërheqja e njësiteve speciale të policisë së Kosovës? Një muaj pas atij vendimi, situata në terren dëshmon se veriu është nën moratorium, i cili mbikëqyret nga forcat ushtarake të NATO-së, KFOR.

Ky moratorium politik në veri, ndodh jo për shkak të vendimit për të ndërhyrë atje më 25 korrik, (ngase ai vendim ishte i drejtë dhe askush nuk do të duhej t’ia mohonte Kosovës të drejtën për të mbikëqyrur tërësinë e vet territoriale që i garanton Kushtetuta), por për shkak të urdhrit për tërheqje më 26 korrik! Nga momenti që Hashim Thaçi ka vendosur të zmbrapset nga vendimi i 25 korrikut, duhet të pranojmë se gjendja në veri të Kosovës nuk do të jetë siç ka qenë para kësaj date, por jo edhe siç po deklaron kryeministri Thaçi. S’kemi pse përsërisim qëndrimet e Kosovës dhe Serbisë për veriun, sepse ato dihen, por duhet analizuar rruga që po ndjek bashkësia ndërkombëtare për t’i dhënë zgjidhje problemit në veri të Kosovës.

Brukseli dhe Uashingtoni janë në kërkim të gjetjes së mesit të artë, nga i cili do të përfitojnë të dy palët (serbët dhe shqiptarët), por edhe nga e cila zgjidhje asnjëra palë nuk do të poshtërohej para qytetarëve të vet! Kjo formulë ka të ngjarë të jetë një kontroll i përbashkët mbi veriun, (i Prishtinës dhe Beogradit), e që në fjalorin diplomatik quhet status special. Këtë gjë kryeministri Thaçi & Co e dinë mirë, ani pse vazhdojnë ta mohojnë, duke luajtur me kartën e patriotizmit për të qenë edhe më tutje faktorë të rëndësishëm politik në Kosovë. Se po shkohet drejt një zgjidhjeje të tillë, tregon edhe një pjesë e mesazhit të kancelares gjermane Angela Merkel, e bërë në Beograd, ku kërkoi nga palët që të shuhen strukturat paralele dhe t’i hapin e diskutojnë që tani të gjitha temat, për të mos i lënë më vonë, (çka qeveria e Kosovës provoi ta fshehë pjesën e dytë të këtij mesazhi).


Mesazhe të tilla do të dëgjojmë edhe më tutje, që do të jenë si reagim ndaj situatës në veri, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t‘u tërhequr nga atje, (me çka veriu u dorëzua në duart e strukturave paralele serbe), duke konfirmuar frikën tonë të shprehur në natën e 25 korrikut, se kryeministri Thaçi po “mbivlerësonte aftësitë e veta” për të marrë kontrollin atje, ndërsa që po nënvlerësonte ato të serbëve për t’iu kundërvë institucioneve kosovare! Nga e gjithë kjo lojë patriotike e Hashim Thaçit (e bërë për shkak se muajt e fundit gjendet në një pozitë të vështirë politike si brenda, ashtu edhe jashtë vendit), humbëse doli dhe do të dalë Kosova! Me këtë veprim kryeministri Thaçi (i cili rreh gjoks për gjithë atë “sukses”), dëshmoi edhe një herë se po qeveris vendin pa plan, viktimë e të cilave sjellje mund të jetë çdo kush dhe çdo gjë në Kosovë!

Para se të luante me kartën e fundit (përdorimin e forcës), për ta kthyer kontrollin në veri të vendit, kryeministri do të duhej ta dinte se kjo duhet të jetë pika e fundit e një plani veprues. Paraprakisht në veri do të duhej të dërgoheshin pjesëtarë të inteligjencës kosovare (nëse ky institucion vërtet është funksional), do të duhej bashkërenduar veprimet me KFOR-in dhe pasi që të mblidheshin informacionet e sakta për situatën që e njohim dhe nuk e njohim, ato do t’u ofroheshin institucioneve dhe njerëzve përgjegjës për këtë çështje. Do të duhej hetuar veprimtaria dhe aftësia e shërbimeve sekrete të Serbisë, të strukturave paralele serbe, si të atyre politike, ekonomike dhe kriminale dhe jo të ndodhë ajo që pamë, ku “djemtë dhe vajzat e Kosovës” u dërguan drejtë e në kryqin e snajperëve serbë.

Kjo përgjegjshmëri në qeverisje nuk ka ndodhur dhe për shkak të kësaj politike që diktohet nga emocionet patriotike, aksioni ka dështuar dhe tani Kosova do të jetë e detyruar që të pranojë kompromisin me Serbinë, i cili nuk do të na përshtatet politikisht! Veriu në të ardhmen nuk do të jetë i vetëqeverisur si Prishtina apo edhe Graçanica, por do të ketë elemente të vetëqeverisjes së dyfishtë! Këtë zgjidhje që po dizajnon bashkësia ndërkombëtare për ta “zgjidhur” problemin në veri, nuk do të mund ta ndryshojë Hashim Thaçi dhe qeveria, për shkak se pas 26 korrikut veriu nga një çështje e brendshme e jona, u shndërrua në një kontekst territorial mes Serbisë dhe Kosovës. Deri tek finalja për veriun, moratoriumin në terren do ta mbikëqyrë KFOR-i mbi bazën e marrëveshjes dhjetëpikëshe të arritur mes dy vendeve (si palë neutrale që thirret në Rezolutën 1244).

Me këtë marrëveshje ka vetëm një ndryshim para dhe pas datës 25 korrik, në veri dhe prej andej në gjithë Kosovën, nuk mund të hyjnë mallra me shumicë nga Serbia (qofshin të kontrabanduara apo jo), për shkak se kufiri verior është shpallur zonë ushtarake. Në aspektet tjera situata vetëm sa është përkeqësuar dhe kemi një kthim prapa në vitin 1999 (kur Hashim Thaçi si udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, nuk do të duhej të lejonte që veriu të krijohet si problem politik çfarë e kemi sot). Ky kthim i gjendjes në vitin 1999, mbase është dështimi më i madh i Kosovës në tre vjetët e fundit, edhe pse nga kryeministri Thaçi kjo vlerësohet si “suksesi më i madh i arritur pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës”.

Refuzimi i vazhdueshëm për të pranuar realitetin në veri, ka bërë që për dymbëdhjetë vjet ai territor të mbetet jashtë juridiksionit të Prishtinës, duke u dhënë hapësirë serbëve lokalë dhe Beogradit të instalojnë një sistem të tërë paralel, si në aspektin politik, ekonomik dhe të sigurisë. E tani që u ndeshen këto dy sisteme të ndryshme politike dhe juridiko-kushtetuese, u dëshmua se nuk mund të vazhdohet më tutje me këtë lloj situate dhe se veriu do të shtrohet si temë diskutimi në tryezën e negociatave me Serbinë gjatë rundeve të ardhshme negociatore. Sigurisht në veri do të kthehet rendi dhe ligji, nuk do të ketë kontrabandë dhe do të ketë zhvillim ekonomik, por jo sipas “Strategjisë për Veriun” apo mbi bazën e Pakos së Ahtisarit. Zgjidhja do të jetë më shumë se ajo që ofron qeveria e Kosovës dhe Pakoja e Ahtisarit, e më pak se kërkesat e Serbisë.

Prandaj, dalja nga ky moratorium nuk ka shumë alternativa, ka vetëm dy rrugë për të gjetur zgjidhjen. Opsioni i parë është që qeveria e Kosovës të refuzojë këtë skenar dhe të urdhëroi serish (siç bërë më 25 korrik apo siç po kërcënon në vazhdimësi ministri i brendshëm), njësitë speciale të policisë së Kosovës (ngase FSK-së nuk i lejohet të ndërmarrë veprime ushtarake), që të futen në veri dhe që përmes forcës, të provojë ta shtrijë kontrollin atje, e, i cili veprim më nuk do të pranohet dhe mbështetet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, madje as nga miqtë tanë më të mëdhenj. Ky opsion do të rindizte konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, çka për bashkësinë ndërkombëtare kjo është një histori e kaluar që NATO nuk do të lejojë të përsëritet.

Opsioni i dytë është që qeveria e Kosovës të pranoi ekzistimin e problemit në veri, si një çështje që kërkon zgjidhje politike dhe të provojë që përmes negociatave me Serbinë ta zgjidhë atë. Ky opsion nënkupton që në njërën anë Kosova ta ruaj tërësinë territoriale që ka tani, por në anë tjetër të pranoi një autonomi me të madhe politike për atë pjesë të vendit. Në fakt kjo është edhe zgjidhja që po e kërkon Beogradi, sepse ajo nuk e dëshiron Kosovën në Serbi, por e dëshiron një mini-Serbi në Kosovë, përmes së cilës do të diktonte zhvillimet politike brenda shtetit të pavarur të Kosovës. Në shkëmbim të pranimit të kësaj zgjidhje nga ana e Prishtinës, Serbia do të detyrohet ta njeh pavarësinë e Kosovës, për shkak të presionit ndërkombëtar.

Ekziston edhe një opsion i tretë, të cilin nuk do të duhej ta pranonte Kosova, ngase e bllokon zhvillimin e brendshëm të vendit dhe rrugën integruese në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, sipas të cilit, veriu do të vazhdoi të mbetet në situatën që është sot, me shpesë se vetvetiu do të zgjidhet problemi. Në fakt kjo gjendje do të përdorej nga politikanët e të dyja vendeve për konsum të brendshëm patriotik dhe ngritje të rejtingut të tyre politik, sa herë që do të kenë nevojë për këtë gjë. Nga kjo zgjidhje nuk do të përfitoj askush, ndërsa që ka rrezik që veriu të shndërrohet në një çështje ku të gjithë besojnë në gjetjen e zgjidhjes, por që askush nuk do të jetë i zoti apo nuk do të ketë guximin politik dhe patriotik të pranojë zgjidhjen që do të ofrohej!