Në raportin, të cilin e ka publikuar gazeta “Koha Ditore” thuhet se nga ish-drejtuesit e Teatrit Kombëtar janë bërë një sërë shkeljesh ligjore, duke filluar nga funksionimi i TKK-së që nuk është bazuar në kurrfarë ligji, punëtor me katër kontrata, më shumë se 40 punëtorë që nuk i njeh askush e që kanë kontratë mbi vepër në TKK, etj.

Por, këto janë disa nga shkeljet që përmenden në raport. “Përmes auditimit është konstatuar se, edhe pse ekziston Ligji, prapëseprapë Teatri ka funksionuar pa u bazuar në kurrfarë ligji e as kurrfarë rregullore”, shkruan në raportin e auditorit të publikuar në Koha Ditore.

“Ka punëtorë që ka deri në katër kontrata, e cila lidhet në vitin 2005, pagesa bëhet me 2006 e si shpenzim regjistrohet në vitin 2007”, vazhdon tutje raporti.

Sipas këtij auditimi ka projekte të 2004-ës të paguara në vitin 2006. “45 punëtorë me kontratë mbi vepër kanë marrë pagë nga teatrit që nga gushti 2006 deri më 31.12.2007, e në fakt nuk janë fare punëtor të teatrit dhe askush nuk i njeh nga teatri”.

Po ashtu, në restorantin “Talia” që është pronë e TKK-së, janë lidhur dy kontrata. “Kontrata e dytë lidhet pa u përfunduar kontrata e parë”, thuhet në raport.

Ndërkaq, po ashtu është raportuar për rreth gjysmë milioni euro keqpërdorime që janë bërë nga Ministria e Kulturës dhe jo nga Teatri.

Raporti për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pritet të publikohet në ditët në vijim.