LAJMI I FUNDIT:

Artistët shqiptarë e serbë thyejnë kufijtë e politikës

Artistët shqiptarë e serbë thyejnë kufijtë e politikës

Në një kohë kur marrëdhëniet mes diplomacive serbe e shqiptare janë të acaruara, për shkak të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një grup artistësh shqiptarë e serbë tentojnë të shembin kufijtë.

Kapërcim kufijsh. Çelësat e bashkëjetesës në veprat e artistëve shqiptarë e serbë" ("Sconfinamenti. Le chiavi della convivenza nelle opere di artisti serbi ed albanesi"), quhet ekspozita e përbashkët e hapur këto ditë në Itali.

Është një "hakmarrje" artistike nga ana e artistëve Dragana Adamov, Nebojsa Bogdanovic, Olga Djurdjevic, Alfred "Milot" Mirashi, Alkan Nallbani, Biserka Petrovic, Parlind Prelashi, Artan Shabani, Tijana Stankovic, të cilët kërkojnë të tregojnë pushtetin e artit, si një gjuhë universale që lidh njerëzit, përtej çdo lloj konflikti politik e kulturor.

"Me këtë vetëdije, – shpjegon në konceptin e vet kuratorial, Gianluca Randazzo, ideator i aktivitetit, – ekspozita mbledh së bashku artistë të rinj, por tashmë të afirmuar me origjinë serbe e shqiptare, si një shembull konkret i bashkëjetesës, i kërkesës për refleksion që është në gjendje të kapërcejë kufijtë dhe ndryshime".


"Ç’kufizimi është kapërcimi i kufijve ideologjikë, por edhe estetikës së regjimit (i ashtuquajturi realizmi socialist) në të cilin arti shqiptar dhe ai serb kanë mbetur, pavarësisht se në forma e nivele të ndryshme, për një kohë të gjatë të burgosura", – thotë Mario Bocchio, këshilltar komunal dhe anëtar i komisionit të kulturës, i cili ka këmbëngulur që ky aktivitet të zhvillohet në Aleksandri.

"Pas rënies së murit të Berlinit u rizgjuan luftërat ballkanike. Toka e sllavëve të jugut, kaleidoskopi magjik multikulturor dhe tradicional, po kalonte plagën e rëndë të luftës civile. Italia nga ana e vet, njohu eksodin biblik të të ikurve nga regjimi arkaik komunist shqiptar. Shumë të rinj, pasi kishin frekuentuar licetë dhe akademinë në vendin e shqiponjave hodhën rrënjë në një vend të huaj, por të hapur ndaj prurjeve të reja dhe dëshirës për krijimtari artistike", – shton ai.

Artistët pjesëmarrës në ekspozitë kanë lindur mes viteve ’70-’80 të shekullit të kaluar dhe kanë ndjekur në mënyrë të shkëlqyer akademitë e arteve në vendet e tyre dhe në atë të Firences.

Një nga pjesëmarrësit që nderon këtë aktivitet është Alfred Mirashi "Miloti", përfaqësues i një brezi të tërë artistësh shqiptarë që u arratis ndaj rregullave antimoderniste të diktaturës së Enver Hoxhës, ka rinovuar artin shqiptar. Falë studimeve në Akademinë e Brerës dhe një sërë specializimesh jashtë, si në Londër, Barcelonë, New York, Miloti, që ka zgjedhur si emër arti emrin e vendlindjes së tij, ka zhvilluar një interpretim personal të klasicizmit mesdhetar, ku shquhet ngjyra dhe ndriçimi që vjen nga deti, që gjithashtu është simbol i shkëmbimeve kulturore.

Për të balancuar netët koloristike, plot dritë e delikate, në telajot e Milotit vijnë punët plot pasion të Alkan Nallbanit, në veprat e të cilit shprehet një shprehje figurative e thellë. Prej së vogëli, tepër aktiv në jetën artistike, madje dhe politike në Shqipëri, Nallbani, protagonist në protestat e studentëve, në vitin 1996 vendoset në Firence, ku qëndron për një kohë të gjatë, për t’u vendosur më pas në New York, ku hyn në kontakt me galeritë më prestigjioze dhe emra të njohur të artit pamore, të cilët e përkrahën kthimin te puna e dorës, gëzimin e ngjyrave në pikturë, pas një periudhe të gjatë të dominimit të artit konceptual.

Lidhur me rrënjët popullore është edhe arti i Artan Shabanit, i lindur në Vlorë, por prej kohësh rezident në Torino. Punët e tij shquhen nga një sharm nostalgjik për tokën dhe traditat. Qeleshet e bardha me majuc, mustaqet e përpjeta e vetullat e ngrysura të labit zënë vend këmbëkryq në telajon e Shabanit.

Përkatësia ndaj tokës dhe traditave, që nuk mund ta njohin mbylljen, por vetëm lirinë, përshkruhet në videon e Parlind Prelashit, në të cilën ritet e martesës tradicionale të Shqipërisë së veriut, vijnë si një homazh i gëzueshëm i bashkëjetesës mes popujve, nga muzika popullore e artistit serb Goran Bregoviç.

Ekspozita është hapur në galerinë "Alexander Alvares Conteporary art" në Alessandria (Palazzo Melchionni, via Migliara) dhe do të qëndrojë e hapur deri në datën 15 nëntor. /panorama/

Artistët pjesëmarrës

Dragana Adamov,
Nebojsa Bogdanovic,
Olga Djurdjevic,
Alfred "Milot" Mirashi,
Alkan Nallbani,
Biserka Petrovic,
Parlind Prelashi,
Artan Shabani,
Tijana Stankovic
Gianluca Randazzo, kurator