Apple ka gjasa të lansojë një iPad me një ekran të palosshëm në vitin 2024, tha të martën firma analitike CCS Insight, duke parashikuar se gjiganti i teknologjisë amerikane do të fillojë së shpejti eksperimentimin me teknologjinë e palosshme.

CCS Insight publikoi raportin e tij vjetor të parashikimeve të martën, në të cilin analistët e grupit bëjnë parashikime për produktet dhe trendet e ardhshme, transmeton Telegrafi.


Në raportin e fundit, CCS Insight parashikoi që Apple do të lansonte një iPad të palosshëm brenda dy vjetësh në vend që të fillonte me një iPhone të palosshëm.

Kjo është e kundërta me prodhuesit e tjerë të smartfonëve si Samsung, të cilët kanë lansuar smartfonë të palosshëm në vend të tabletave.

“Për momentin nuk ka kuptim që Apple të bëjë një iPhone të palosshëm. Ne mendojmë se ata do ta shmangin atë trend dhe ndoshta do të provojnë me një iPad të palosshëm”, tha Ben Wood, shefi i kërkimit në CCS Insight në një intervistë për CNBC.

“Një iPhone i palosshëm do të jetë një rrezik super i lartë për Apple. Së pari, do të duhej të ishte tepër e shtrenjtë për të mos kanibalizuar iPhone-ët ekzistues”, shtoi Wood.

Analisti tha se një iPhone i palosshëm ka të ngjarë të kushtojë rreth 2,500 dollarë. iPhone 14 Pro Max i Apple me hapësirën më të madhe të ruajtjes, i cili është modeli më i shtrenjtë aktualisht, kushton rreth 1,599 dollarë. /Telegrafi/