Site icon Telegrafi

Anulohen pesë seanca të parapara për në shkurt në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

Në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës janë anuluar 5 seanca të parapara në muajin shkurt 2024.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Çështja gjyqësore ndaj Pjetër Shalës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është drejt fundit.

Michael Doyle, zëdhënës i DhSK-së, përmes informimit javor për medie, me 18 janar tha se sa i përket hapave të ardhshëm në çështjen gjyqësore ndaj Shalës, gjykatësi do të ftojë ZPS-në dhe mbrojtjen që të dorëzojnë dosjet gjyqësore përfundimtare dhe të caktohet seanca për deklaratat përmbyllëse.

Ai tha se më 15 janar, mbrojtja e Shalës ia dorëzoi trupit gjykues njoftimin se mbrojtja ka përfunduar paraqitjen e provave.

“Gjatë paraqitjes së provave, mbrojtja e z. Shala thirri 10 dëshmitarë për të dhënë dëshmi në sallë të gjyqit. Sa u përket hapave të ardhshëm, pas njoftimit të trupit gjykues për mbylljen e procedurës së paraqitjes së provave, gjykatësit do të ftojnë prokurorin e specializuar dhe mbrojtjen që të dorëzojnë dosjet gjyqësore përfundimtare dhe caktojnë seancën për deklaratat përmbyllëse”, tha Doyle.

Lexo po ashtu Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i ZPS-së pretendon se është rrëmbyer dhe rrahur nga UÇK-ja

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version