Anthony Gojani, përfaqësuesi i vetëm kosovar në ligën prestigjioze të jiu jitsus PGF, me synime të mëdha dhe pasion të zjarrtë

Anthony Gojani është një sportist me prejardhje nga Klina e Kosovës, i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me përkushtim dhe pasion të jashtëzakonshëm për jiu jitsu, ai së shpejti pritet të marr pjesë në një nga ligat më prestigjioze të këtij sporti “Professional Grappling Federation”. Ajo që e bën edhe më të veçantë pjesëmarrjen e tij është fakti se është i vetmi garues kosovar, duke e përfaqësuar Kosovën në një arenë ndërkombëtare.
Në një intervistë për Telegrafin, Gojani thotë se kjo nuk është vetëm një mision, por mundësi për t’a përfaqësuar vendin prej nga vjen familja e tij.
“Ndjehem jashtëzakonisht mirë të jem i vetmi përfaqësues nga Kosova në PGF, sepse kam mundësinë të përfaqësoj një copëz të vogël por të rëndësishme të tokës prej nga vjen familja ime.
Që në moshë të vogël, ai u njoh me artin luftarak të jiu jitsus, falë një shtytjeje nga vëllai i tij më i madh. Sipas tij, ishte një përvojë që shpejt u kthye në pasion të zjarrtë.
Mirëpo, Gojani shton se rruga drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë dhe se ky sport kërkon sfida të mëdha.
“Sfida më e madhe në përgatitje janë sakrificat që duhet t’i bësh – sakrifica në marrëdhënie, në aspektin financiar, në dispozicionin e kohës sate. Në fund të ditës, ia vlen gjithçka, sepse është thellësisht më përmbushëse sesa të bësh diçka tjetër. Edhe paratë vijnë, vetëm se kërkon pak kohë”, shtoi ai.
Garuesi kosovar pritet të hyj në këtë garë prestigjioze me ambicie të qarta.
“Pres të mposht kundërshtarë të nivelit botëror. Pres të fitoj brezin dhe shpërblimet çmimet monetare nga gara”, tha ai.
Ai shton se e nis ditën me ndjesinë e një fitimtari. Përkundër rrugëve që të tjerët kanë tentuar t’ia imponojnë gjatë jetës, Anthony thotë se ka zgjedhur të qëndrojë besnik ndaj vetes dhe pasionit të tij.
“Shumë njerëz më flasin e më thonë se kanë të njëjtin pasion për profesionin e tyre sikur unë për timin, ua jap të drejtën e dyshimit, por shpesh janë të palumtur vetëm pak vite më vonë, ndërsa unë ende digjem nga pasioni”, tha ai.
Për të, suksesi nuk matet vetëm me fitore në ring, por me ndjenjën e thellë të përmbushjes që vjen nga ndjekja e një pasioni të vërtetë.
“Fitorja apo humbja nuk janë fizike, janë të shpirtit”, tha ai.
Për të rinjtë në Kosovë që kanë pasion për artet marciale, por hezitojnë ta ndjekin këtë rrugë, Gojani jep një këshillë të qartë.
“Unë do t’u thosha; jepjani më të mirën vetës, me besim dhe këmbëngulje mund të arrihet gjithçka”, thotë ai.
Ai paralajmëron se ky rrugëtim nuk është i lehtë dhe si rezultat thotë se nuk do ta rekomandonte këtë për shumicën e njerëzve.
“Më mirë ta mbani si hobi apo pasion. Është shumë e vështirë ta ktheni në karrierë apo në një angazhim me kohë të plotë, përveç nëse ndjeni atë zjarr brenda vetes që nuk shuhet për vite me radhë”, përfundon ai.
Gara do të zhvillohet gjatë verës në ligën prestigjioze të jiu jitsus, PGF (Professional Grappling Federation), ku do të marrin pjesë luftëtarë nga e gjithë bota, përfshirë edhe përfaqësuesin kosovar, Anthony Gojani.
Të apasionuarit pas jiu jitsus në Kosovë do të kenë mundësinë ta ndjekin Anthony-n çdo të mërkurë nga data 23 Korrik deri më 20 Gusht, në orën 01:00 pas mesnate, përmes kanalit zyrtar të PGF Ëorld në YouTube.
Finalja dhe playoff-i do të zhvillohen më 10 Shtator, duke premtuar emocione dhe garë të fortë deri në fund. /Telegrafi/

























































