Please enter at least 3 characters.

Zyrtare: Paulo Dybala rinovon me Romën, pranon zbritje të madhe të pagës

Roma ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Paulo Dybalan, i cili do të qëndrojë te klubi italian deri në fund të sezonit 2026/27.

Argjentinasi kishte mbetur teknikisht lojtar i lirë gjatë dy javëve të para të korrikut, pasi kontrata e tij e mëparshme kishte skaduar më 30 qershor.

Megjithatë, klubi kryeqytetas konfirmoi të hënën se 32-vjeçari ka firmosur një marrëveshje të re njëvjeçare.

Sipas ekspertit të transferimeve Gianluca Di Marzio, kontrata nuk përfshin opsion për vazhdim, ndërsa Dybala ka pranuar edhe një ulje të konsiderueshme të pagës për të vazhduar aventurën në "Olimpico".

Sulmuesi argjentinas do të përfitojë një pagë bazë pak më të ulët se tre milionë euro në sezon, pa përfshirë bonuset. Sezonin e kaluar ai ishte lojtari më i paguar i Romës, me një pagë neto prej rreth tetë milionë eurosh.

Në njoftimin zyrtar, Roma shprehu kënaqësinë për vazhdimin e bashkëpunimit me një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

“AS Roma ka kënaqësinë të njoftojë se Paulo Dybala ka nënshkruar një zgjatje të kontratës me klubin deri më 30 qershor 2027”.

“Që nga ardhja e tij në kryeqytet në verën e vitit 2022, Dybala ndezi menjëherë pasionin e tifozëve të Romës. Në 139 paraqitje dhe me 45 gola, ai është shndërruar në një figurë kyçe në fushë dhe një lider brenda e jashtë saj”.

“Historia mes Romës dhe 'La Joya' vazhdon, me shumë kapituj të tjerë për t'u shkruar. Përpara së bashku, Paulo!”, thuhet në komunikatën e klubit./Telegrafi/