Please enter at least 3 characters.

Zelensky: Zgjidhja që do t’i japë fund luftës me Rusinë mund të vijë në 2027

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se periudha më e favorshme për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike që do t’i japë fund luftës me Rusinë mund të jetë nga fundi i vitit 2026 deri në verën e vitit 2027.

Duke folur në një ceremoni në Kiev me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar, Zelensky tha se Ukraina dhe Rusia vijojnë të kenë mosmarrëveshje të thella, veçanërisht për çështjen e tërheqjes së forcave ukrainase nga Donbasi.

Sipas tij, kjo periudhë mund të përfaqësojë fazën më aktive të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.

Një nga opsionet e armëpushimit që po diskutohet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane parashikon tërheqjen reciproke të forcave dhe krijimin e një “zone të lirë ekonomike” tampon, e cila do të administrohej nga një palë e tretë.

Zelensky tha gjithashtu se Ukraina është e gatshme të diskutojë një ndalim të ndërsjellë të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe bujqësore.

Në ceremoninë e zhvilluar në Kiev morën pjesë edhe liderë nga vendet skandinave dhe shtetet baltike.