Please enter at least 3 characters.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë në hall - gruan e vëllait do t'ia deportojnë për në Brazil shkaku i vendimit të Trumpit

Bruna Ferreira, e cila si fëmijë erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Brazili, ka jetuar një jetë tipike amerikane - ka luajtur tenis në shkollën e mesme, është martuar dhe ka bërë shkurorëzimin, ka ndërtuar një biznes dhe ka rritur një djalë.

Por, kur agjentët e ICE e arrestuan më herët këtë muaj përpara shtëpisë së saj në periferi të Bostonit, ajo u bë pjesë e një historie që shtrihet deri në Shtëpinë e Bardhë.

Ferreira është nëna e djalit të vëllait të Karoline Leavitt, sekretarja për media e presidentit amerikan, Donald Trump dhe një nga mbështetëset më të fuqishme të politikës së ashpër imigracioni, raporton cnn.

Arrestimi i saj fillimisht nuk tërhoqi vëmendjen e mediave, duke u dukur si një tjetër rast i deportimit të një imigranteje pa dokumente. Megjithatë, gjatë arrestimit, Ferreira i përmendi disa herë agjentëve se kënd e ka familjar, sipas motrës së saj Graziela Dos Santos Rodrigues.

Administrata e përshkruan Ferreiran si “kriminele e huaj ilegale” e arrestuar për sulm, por avokatët thonë se ajo nuk ka të kaluar kriminale dhe ishte mbrojtur më parë nga deportimi përmes programit DACA, për ata që erdhën në SHBA si fëmijë.

Ferreira (33) aktualisht ndodhet në një qendër paraburgimi ICE në Louisiana dhe përballet me deportimin.

Avokati i saj, Todd Pomerleau, tha se ajo është ende pjesë e jetës së familjes Leavitt dhe se Karoline Leavitt është kumbarja e djalit 11-vjeçar të Ferreiras.

Kjo e fundit kishte ardhur në SHBA me vizë turistike si 6-vjeçare. Avokati thekson se ajo ka aplikuar për "green card" dhe pret prej 27 vitesh.

Ferreira ka rritur djalin në Massachusetts, ku ka pasur një biznes pas divorcit. Babai i fëmijës jeton në New Hampshire.

Djali ka vuajtur shumë pas arrestimit dhe pyet shpesh kur do të kthehet nëna. Avokati dhe familja kanë thënë se nuk kanë marrë ndihmë nga Karoline Leavitt. /Telegrafi/