Zbulohet plani i Milanit për Luka Modric: Roli i tij do të ndryshojë, do të përdoret si te Real Madridi
Luka Modric është pranë vazhdimit të aventurës së tij me Milanin edhe për një sezon tjetër, pavarësisht se kishte menduar ta mbyllte karrierën dhe të kthehej në Madrid. Sipas Gazzetta dello Sport, gjithçka po shkon drejt qëndrimit të mesfushorit kroat në "San Siro".
Pas eliminimit të Kroacisë nga Kupa e Botës 2026 dhe tërheqjes nga kombëtarja, 40-vjeçari po shijon pushimet, ndërsa vendimi për të ardhmen e tij pritet të merret shumë shpejt. Pronari Gerry Cardinale dhe trajneri i ri Ruben Amorim kanë insistuar që ai të vazhdojë me kuqezinjtë.
Amorim ka zbuluar se ka zhvilluar dy biseda me Luka Modric dhe është i bindur se kroati do të rikthehet në Milano për sezonin e ri.
"Ai është një lojtar që duam ta mbajmë. Kam folur dy herë me të dhe, nëse është e nevojshme, do të flas përsëri. Ai është i pabesueshëm dhe pika jonë e referencës. Nuk po them se do të luajë në çdo ndeshje, por për sezonin e ardhshëm ne mbështetemi te Luka Modric", deklaroi trajneri portugez.
Sipas raportimit, Luka Modric do të ketë një rol ndryshe nga sezoni i kaluar. Në aspektin taktik, Amorim planifikon ta përdorë si mesfushor qendror në një dyshe në mesfushë, rol që i ngjan atij që kishte me Kroacinë.
Po ashtu, ai nuk do të jetë më titullar i padiskutueshëm. Duke marrë parasysh moshën dhe kalendarin e ngarkuar, minutat e tij do të menaxhohen me kujdes, ndërsa pritet të aktivizohet kryesisht në ndeshjet më të rëndësishme ose si një armë cilësore nga stoli.
Milani do të garojë në Serie A dhe Ligën e Evropës gjatë sezonit 2026/27, çka do të sjellë një numër më të madh ndeshjesh dhe do ta bëjë rotacionin të domosdoshëm.
Modeli që pritet të ndiqet është i ngjashëm me sezonin e fundit të Luka Modric te Real Madridi. Në edicionin 2024/25, ai ishte titullar në 17 ndeshje të La Ligas dhe u aktivizua si zëvendësues në 18 të tjera, ndërsa në Ligën e Kampionëve nisi shtatë takime nga minuta e parë dhe hyri nga stoli në shtatë të tjera.
Megjithatë, ai vazhdoi të luante në sfidat më të rëndësishme të sezonit, përfshirë ndeshjet ndaj Atletico Madridit dhe Arsenalit në Ligën e Kampionëve, duke dëshmuar se edhe me më pak minuta mbetet një lojtar vendimtar.
Sipas Gazzetta dello Sport, një skenar i ngjashëm pritet të zbatohet edhe te Milani, ku përvoja, lidershipi dhe cilësia e Luka Modric do të mbeten një aset i rëndësishëm në projektin e Ruben Amorim. /Telegrafi/


