Zbulohet marrëveshja e çuditshme që bëri Gjermania për ta marrë Kloppin
Federata Gjermane e Futbollit (DFB) është dashur të bëjë një marrëveshje të pazakontë me Red Bullin për ta siguruar lirimin e Jurgen Kloppit nga angazhimet e tij paraprake dhe për ta emëruar atë përzgjedhës të kombëtares së Gjermanisë.
Detajet e marrëveshjes janë bërë të ditura gjatë prezantimit zyrtar të Kloppit të premten, kur presidenti i DFB-së, Bernd Neuendorf, konfirmoi se federata ka pranuar të bëjë një donacion prej 1 milion eurosh për fondacionin “Ëings for Life”, i cili mbështetet nga Red Bull.
Sipas Neuendorfit, ky gjest ishte pjesë e marrëveshjes për lirimin e Kloppit dhe kishte për qëllim të shprehte mirënjohjen ndaj mënyrës se si Red Bull e trajtoi largimin e tij.
“Federata Gjermane e Futbollit ka bërë këto marrëveshje të veçanta në shenjë mirënjohjeje për faktin se lirimi u trajtua në një mënyrë kaq të pakomplikuar dhe joburokratike”, deklaroi Neuendorf.
Por donacioni prej 1 milion eurosh nuk ishte e vetmja pjesë e marrëveshjes.
Si pjesë e marrëveshjes më të gjerë me Red Bullin, DFB-ja është zotuar që të zhvillojë tri ndeshje të kombëtares së Gjermanisë në ‘Red Bull Arena’ të Leipzigut gjatë kohëzgjatjes së kontratës së Kloppit.
Kjo nënkupton se stadiumi në pronësi të Red Bullit dhe tifozët lokalë do të përfitojnë drejtpërdrejt nga marrëveshja që mundësoi largimin e parakohshëm të një prej figurave më të rëndësishme të kompanisë.
Emërimi i Kloppit është konsideruar si një goditje e madhe për DFB-në, e cila synon ta rikthejë futbollin gjerman në majat e skenës ndërkombëtare.
Në lidhje me marrëveshjen ka folur edhe Hans-Joachim Watzke, nënkryetari i parë i DFB-së dhe një prej njerëzve më të afërt me Kloppin që nga koha kur të dy punonin së bashku te Borussia Dortmundi./Telegrafi/


