Please enter at least 3 characters.

Zbulimi i 'bunkerëve' të arit në Pejë

Mëngjesin e datës 13.02.2026, në objektin e Prokurorisë në Pejë po grumbulloheshin zyrtarët e disa institucioneve që ishin thirrur nga Kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, e cila në një komunikim të shpejtë tregon se kanë marrë shkresën nga Gjykata e Pejës për kontrolle në katër lokacione.

Pamjet që nga nisja e aksionit e deri në përfundimin e tij u transmetuan në emisionin Kallxo Përnime, sonte më 01.03.2026.

“Mirë se keni ardhur në Pejë. Kemi me zhvillu një aksion në katër lokacione të dyshuara, në të cilat ka 6 muaj që bashkë me policinë e Krimeve Ekonomike jemi duke bërë hetime lidhur me veprimtaritë që merren me shitjen e metaleve të çmuara të arit dhe argjendit. Bashkë me tre prokurorë, në aksion do jenë edhe zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës, zyrtarët e Inspektoratit të Tregut nga Ministria e Tregtisë dhe zyrtarët e Doganës së Kosovës.”- theksoi Vuçetaj.

Aksioni nis në të katër lokacionet në të njëjtën kohë. Tre prokurorë të Pejës u caktuan të përcjellin secilin hap të bastisjes dhe të mbështesin e urdhërojnë zyrtarët e tjerë shtetërorë në kërkesat e tyre.

Zyrtarët nga Administrata Tatimore e Kosovës do merren me verifikimin e stokut brenda argjendarive për t’i verifikuar të hyrat dhe shitjet në ato biznese.

Ndërsa zyrtarët e Inspektoratit të Tregut nga Ministria e Tregtisë duhet të verifikojnë cilësinë dhe shënjimin e mallit i cili gjendet për shitje. Secili mall i çmuar, para se të dal në shitje duhet të shenjëzohet nga metrologjia e Kosovës.

Për dyshimet se gjatë aksionit mund të gjendet mall i kontrabanduar, aty janë zyrtarët e Doganës së Kosovës të cilët me mjete speciale e me kontrolle fizike të hapësirave do kontrollojnë për bunkerë e dollapë sekrete brenda hapësirave ku do kryhet kontrolli.

Kontrolli për ari dhe argjend nis njëherë në dy dyqane në Pejë. Pronarëve u kumtohet lajmi se gjatë aksionit do kontrollohet cilësia e arit, sasia e tij, e madje edhe origjina e metalit të çmuar, e po ashtu edhe dyshimet e tjera që lidhen më aktivitetet ekonomike brenda disa subjekteve. Fillimisht prokurorët e mekanizmat e tjerë shtetërorë nisen drejt dyqaneve të dyshuara.

“Jemi në zbatimin e një urdhër kontrolli të lëshuar nga Gjykata e Pejës. Kemi me kontrollu në biznes e po ashtu në objektet e banimit”- thekson zyrtari policor, duke e pyetur pastaj pronarin nëse ka diçka ilegale apo të jashtëligjshme brenda këtyre objekteve.

“Nuk kam kurrgjë ilegale – armën e kam me leje”- ia kthen pronari.

Pas verifikimit të armës, ajo del se ka leje të vlefshme, mirëpo brenda hapësirës së dyqanit ka ari të padeklaruar që është fshehur në bunkerët prapa dollapëve të mbyllur. Zyrtarët doganorë fillojnë hapjen me forcë të pjesës mbrapa dollapëve dhe aty shfaqen edhe pamjet e arit i cili ishte i fshehur dhe i padeklaruar.

Sekuestrimi i sasisë së arit i cili ishte gjendur i fshehur bëhet menjëherë nga zyrtarët e Doganës së Kosovës. Në vendin e ngjarjes pronarit të argjendarisë, nga zyrtari doganor i kumtohet lajmi se i gjithë ari i cili ishte gjendur i fshehur do të sekuestrohet nga ta.

Zyrtarët e Inspektoratit të Ministrisë ende ishin duke kontrolluar për vulat e cilësisë, e po ashtu edhe për vulat e kontrollit nga Ministria e Tregtisë. Por kontrolli ishte duke vazhduar vetëm për arin e dukshëm e jo për atë që ishte gjendur i fshehur.

Kontrolli në lokalin e dytë vazhdon njëkohësisht. Aty verifikohet secili mall që gjendet brenda tij. Edhe aty inspektorët kontrollojnë nëse ari i ka vulat që duhet t’i ketë.

Informatat se në lokalin e parë ka mall të fshehur ndahet nga prokuroria me hetuesit e Doganës se Kosovës. Me anë të mjeteve speciale, ata fillojnë kontrollin e detajuar të hapësirave të mbyllura dhe mureve të lokalit. Ari i fshehur gjendet edhe në dyqanin tjetër i cili ishte duke u kontrolluar që nga mëngjesi i asaj dite. Brenda sefit të blinduar ka një hapësirë ku ishte ari i fshehur e i cili nuk ishte deklaruar nga punëtorët në lokal.

Bunkerë ne hapësirat e sefit të blinduar gjenden edhe në shtëpi. Atje, sefi ishte hapur vetëm në pjesët kryesore të tij por jo edhe në të gjitha hapësirat. Zyrtarët doganorë fillojnë kontrollin e detajuar dhe arrijnë që ta hapin pjesën ku ishin të fshehura sasi të arit dhe të parave kesh.

Gjatë këtij aksioni përveç arit e sendeve tjera të çmuara është sekuestruar edhe një armë e gjatë e cili ishte pa leje. Në Prokurorinë e Pejës theksojnë se janë duke pritur analizat vendimtare për të proceduar tutje me hetimet e radhës rreth këtij rasti.

- YouTubewww.youtube.com