Please enter at least 3 characters.

WhatsApp sjell funksionin e ri “flluska njoftimesh” në Android

WhatsApp, aplikacioni në pronësi të kompanisë Meta, po vazhdon të testojë funksione të reja për përdoruesit e Android dhe iOS, ndërsa funksioni më i fundit në zhvillim janë “flluskat e njoftimeve”, një veçori që Google e ka mbështetur në Android që nga versioni Android 10.

Sipas WABetaInfo, WhatsApp po teston funksionin e flluskave të njoftimeve në aplikacionin e saj për Android. Ata që kanë përdorur Facebook Messenger në Android tashmë e dinë si funksionojnë këto flluska.

Kur merrni një mesazh nga një person ose në një bisedë grupore, në ekran shfaqet një flluskë lundruese, pavarësisht nëse jeni në ekranin kryesor apo në një aplikacion tjetër.

Flluska e njoftimit e WhatsApp-it do të përmbajë fotografinë e profilit të kontaktit ose grupit, së bashku me një ikonë të vogël të WhatsApp-it, që tregon se bëhet fjalë për njoftim nga ky aplikacion.

Duke klikuar mbi flluskën, hapet një version i thjeshtuar i ndërfaqes së bisedës në WhatsApp, duke u mundësuar përdoruesve të lexojnë dhe t’u përgjigjen mesazheve pa e hapur plotësisht aplikacionin.

Kjo veçori do të mundësojë dërgim më të shpejtë të mesazheve dhe kryerje të shumë detyrave njëkohësisht kur komunikoni me disa persona apo grupe në të njëjtën kohë. Për shembull, nëse jeni duke parë një video dhe dëshironi të bisedoni me disa persona në WhatsApp, mund të dërgoni mesazhe shpejt pa dalë nga aplikacioni i videos ose pa e hapur WhatsApp-in.

WhatsApp ende po e teston këtë funksion, ndaj nuk është e qartë kur do të jetë i disponueshëm për të gjithë përdoruesit e Android. Megjithatë, para publikimit zyrtar, ka gjasa të jetë i qasshëm për përdoruesit beta, duke u dhënë atyre mundësinë ta provojnë më herët. /Telegrafi/