Please enter at least 3 characters.

Vrau një polic dhe plagosi një tjetër, del fotoja e autorit të ngjarjes së rëndë në Maliq

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Maliq të Shqipërisë, ku një polic ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur.

Autori i vrasjes së një efektivi polici dhe plagosjes së një tjetri është Violand Braçellari, raporton euronews.al

Nga përplasja me armë humb i jetën policie Enea Mekolli dhe u plagos efektivi tjetër Edison Adri.

Policia e Shtetit doli me një deklaratë zyrtare ku bëri me dije se në kuadër të zbatimit të planit të masave për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq dhe Komisariatin e Policisë Korçë, kishin siguruar të dhëna për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim dhe janë organizuar për ndërhyrje në zonën ku ai dyshohej se fshihej.


Rreth orës 07:30, forcat e Policisë kanë rrethuar një stan në zonën malore të Lozhanit, ku dyshohej se ndodhej i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç. Ky i fundit rezulton i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe ndaj tij në vitin 2011 ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Kultivim të bimëve narkotike”.

Gjatë ndërhyrjes, policia i ka bërë thirrje të dorëzohej, por ai nuk i është bindur urdhrave dhe ka hapur zjarr ndaj efektivëve. Si pasojë e sulmit, ka humbur jetën në krye të detyrës inspektor Enea Mekolli 34 vjeç, ndërsa është plagosur inspektor Edison Adri 36 vjeç, të dy pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë.