Efektivi i vrarë është Enea Mekolli, reagojnë Rama dhe ministri Lamallari
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Maliq, ku humbi jetën efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shumëkërkuar.
Rama bëri të ditur se gjatë operacionit për arrestimin e të dyshuarit, i cili prej vitesh i ishte shmangur drejtësisë në zonat malore të Korçës dhe kishte arritur vazhdimisht t’u shpëtonte rrethimeve të forcave të rendit, një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos.
Sipas tij, pas hapjes së zjarrit ndaj efektivëve, autori u plagos dhe u arrestua.
“Nder i përjetshëm dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë policit tjetër të plagosur”, shkroi Rama, teksa kërkoi dënimin maksimal për të arrestuarin dhe shprehu mbështetje për Policinë e Shtetit.
Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi…
— Edi Rama (@ediramaal) June 4, 2026
Për ngjarjen reagoi edhe ministri i Brendshëm, i cili e dënoi ashpër sulmin, duke theksuar se Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit.
Ai shprehu ngushëllime për familjen e Enea Mekollit dhe kolegët e tij, ndërsa i uroi shërim të shpejtë efektivit të plagosur, Edison Adri.
Autoritetet kanë bërë të ditur se Policia e Shtetit do të vazhdojë me vendosmëri luftën kundër krimit, duke theksuar se sakrifica e Enea Mekollit do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje. /Telegrafi/


