Please enter at least 3 characters.

Viktima në Jazhincë ishte shtetase gjermane, hipotermia shkak i vdekjes së saj

Një aksident tragjik është shënuar në zonën malore të Liqenit të Jazhincës, ku një bjeshkatare me shtetësi gjermane ka humbur jetën gjatë një ecjeje në shkëmbinj.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) përmes një njoftimi për media ka dhënë detaje rreth këtij rasti.

ShKShMK ka njoftuar se më 19 tetor ka marrë thirrje për ndihmë nga një grup bjeshkatarësh, të cilët kishin hasur në trupin pa shenja jete të viktimës në një zonë afër shtegut kryesor të Liqenit të Jazhincës.

Pas koordinimit me Policinë e Kosovës, skuadra e ShKShMK u nis menjëherë drejt vendit të ngjarjes, ku nën kushte dimërore dhe errësirë të thellë, pas një marshimi të gjatë prej 9 orësh, u arrit të lokalizohej viktima.

Sipas njoftimit thuhet se viktima e identifikuar me inicialet M.N., dyshohet të ketë pësuar fatalitet për shkak të hipotermisë.

“Sipas mekanizmit të aksidentit dyshohet se viktima shtetase Gjermane M.N gjatë ecjes malore e vetmuar në këtë zonë, aksidentalisht këmba i kishte ngecur në qarje në mes të shkëmbinjve dhe në pamundësi të daljes nga kjo situatë dhe thirrjes për ndihmë pasi që zona nuk ka mbulueshmëri me rrjet telefonik ,dyshohet të ketë pësuar me fatalitet nga kushtet atmosferike duke kaluar në hipotermi”, thuhet në njoftim.

Në operacionin e evakuimit mori pjesë edhe një ekip e kompanisë së Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa ShKShMK shprehu ngushëllimet e sinqerta për familjen e viktimës.

Shënim informues: Hipotermia është një gjendje mjekësore ku temperatura e trupit bie nën nivelin normal që është rreth 36.5-37°C. Simptomat e hipotermisë përfshijnë dridhje, ngadalësim të ritmit të zemrës, lodhje, konfuzion, humbje të vetëdijes dhe në në raste të rënda zemra e personit mund të ndalojë së rrahuri. /Telegrafi/