Vazhdon procesi i njohjes së përvojës së punës për mësimdhënësit në Mitrovicë
Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) është duke vazhduar procesin e njohjes dhe përmirësimit të përvojës së punës për mësimdhënësit.
Sipas njoftimit, procesi po udhëhiqet nga drejtori i DKA-së, Shefki Begu, ndërsa deri më tani janë dorëzuar mbi 140 aplikime.
Komuna bën të ditur se rreth 50 për qind e aplikimeve të pranuara tashmë janë trajtuar dhe përfunduar, ndërsa pjesa tjetër mbetet në proces shqyrtimi.
Drejtori Begu, sipas njoftimit, ka deklaruar se përmes këtij angazhimi disa mësimdhënësve u është njohur përvoja e punës deri në 10 vjet, duke zgjidhur një shqetësim të kahershëm.
Po ashtu, Komuna thekson se DKA mbetet e përkushtuar që të gjitha kërkesat të shqyrtohen me përgjegjësi dhe brenda afateve sa më të shkurtra. /Telegrafi/


