Tre vjet pas aplikimit për në BE, Kosova ende pa status kandidati
Tre vjet pasi Kosova dorëzoi aplikimin për statusin vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, procesi ka mbetur pothuajse në të njëjtën pikë. Ndërsa institucionet vendore flasin për progres dhe orientim të qartë strategjik, nga Brukseli mesazhi është i ftohtë dhe i njëjtë se vendimi është ende te shtetet anëtare të unionit.
Në qeverinë në detyrë thonë se që procesi të mbetet i bazuar në meritokraci dhe BE-ja të ruajë kredibilitetin, aplikimi së paku duhet të marrë vëmendjen dhe vlerësimin serioz nga ana e unionit evropian dhe anëtarëve të saj. Megjithatë, njohësit e integrimeve evropiane avancimin e rrugës euro-integruese e ndërlidhin me progres në dialogun Kosovë–Serbi.
Nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thonë për KosovaPress, se Komisioni Evropian është i përgatitur të procedojë me hartimin e mendimit mbi aplikimin e Kosovës, por vetëm pasi shtetet anëtare të kërkojnë këtë hap.“Ju lutemi vini re se Komisioni Evropian është gati të përgatisë një mendim mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim, nëse kërkohet nga Këshilli. Gjithashtu, siç është theksuar më parë, vendimi për shtetet e reja që bashkohen me BE-në, i takon në fund të fundit shteteve anëtare për ta vendosur”, thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër, në qeverinë në detyrë thonë për KosovaPress, se vendi e meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Angazhimi përmes takimeve intensive e bisedat në çdo nivel me homologë dhe kolegë nga BE dhe shtetet anëtare nuk kanë munguar. Aty kemi argumentuar si kemi arritur deri te aplikimi dhe pse meritojmë statusin e vendit kandidat. Që procesi të mbetet i bazuar në meritokraci dhe të ruajë kredibilitetin, sidomos tani me rigjallërimin e procesit të zgjerimit për shkak të situatës gjeopolitike në Evropë, aplikimi së paku duhet ta marrë vëmendjen dhe vlerësimin serioz nga ana e BE dhe anëtarëve të saj”, thuhet në përgjigjen e tij.
Në anën tjetër, politologu Artan Muhaxheri thotë se rruga e avancimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian është e varur 100 për qind nga progresi në dialogun me Serbinë.
Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor 2022. Dokumenti i aplikimit u dorëzua gjatë kryesimit të Çekisë në Këshillin e BE-së, duke shënuar një hap historik në përpjekjet e vendit drejt integrimit evropian. Në fillim, aplikimi u nënshkrua një ditë më parë, më 14 dhjetor 2022, nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri tashmë në detyrë Albin Kurti dhe ish-kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, për t’u dorëzuar zyrtarisht në Bruksel.


