Tragjedia në Malishevë, gruaja ishte shtatzënë - burri në gjendje të rëndë
Në grua dhe një burrë janë plagosur me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në fshatin Kërvasari të Malishevës.
Gruaja, e cila ishte shtatzënë në javën e 34-të, ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa burri është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Bazuar në informacionet e Policisë së Kosovës, çifti ishte gjetur i plagosur në një dhomë gjumi, ndërsa në vendin e ngjarjes ishte sekuestruar edhe një armë zjarri.
Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla në një prononcim për Telegrafin, ka dhënë detaje të reja për gjendjen e të plagosurve.
“Dy të plagosur me armë zjarri nga Malisheva, një femër dhe një mashkull. Femra shtatzënë, 34 javëshe, edhe përkundër të gjitha masave reanimatore të ndërmarra nga ekipi kujdestar, nuk ka mundur t’u përballojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare”, ka thënë Syla për Telegrafin.
Sa i përket burrit, Syla ka bërë të ditur se ai është i intubuar dhe i kyçur në respirator.
“Burri është i intubuar, i kyçur në respirator. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme. Gjendja është shumë e rëndë dhe jo stabile. Nëse mbijeton nga plagët, do të transferohet në Mjekimin Intensiv Qendror”, ka deklaruar ai.
Ndryshe edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës përmes një njoftimi ka theksuar se viktima ishte 25 vjeçare.
"Më datë 24 gusht 2026, rreth orës 00:15, në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë pranuar dy persona, të cilët, sipas të dhënave fillestare, kanë ardhur nga rajoni i Malishevës.Njëra prej personave të pranuar, femër, 25-vjeçare, ka arritur në Qendrën Emergjente pa shenja jete, me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Personi tjetër, mashkull, 26-vjeçar, është pranuar me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente. Gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë shumë e rëndë", thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Për rrethanat dhe shkaqet e sakta të rastit, kompetente janë organet përkatëse të hetimit. Stafi emergjent- QKUK, është duke ofruar trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe, në përputhje me procedurat në fuqi do të bashkëpunojë me institucionet kompetente.
Policia kishte njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 23:20, ndërsa më pas ishte iniciuar si “Vrasje e rëndë”. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit janë duke vazhduar. /Telegrafi/


