Please enter at least 3 characters.

Stili i banjove për vitin 2025 vjen me një prapaskenë të papritur

Banjot e këtij viti nuk janë vetëm një hapësirë higjiene, por një spa ekologjike në shtëpinë tuaj - një vend ku luksi dhe kujdesi për planetin ecin krah për krah

Trendi kryesor në arredimin e banjove këtë vit nuk ka të bëjë me ngjyrën e pllakave apo ndriçimin, por me qëndrueshmërinë.

Markat po gjejnë mënyra gjithnjë e më inovative për të krijuar produkte që janë njëkohësisht estetikisht tërheqës dhe miqësorë me mjedisin. Ka pafund mënyra për të sjellë frymën e ekologjisë në shtëpinë tuaj, pa u dashur të hiqni dorë nga stili.

Natalie Bird nga kompanitë Roca & Laufen thekson: "Kur bëhet fjalë për banjot, qëndrueshmëria nuk do të thotë të sakrifikosh rehatinë, bukurinë apo funksionalitetin. Përkundrazi, shumë nga trendet më inteligjente të sotme e bëjnë më të lehtë krijimin e një hapësire që duket luksoze, ndërsa është njëkohësisht më e butë."

Këto janë 7 trendet kryesore të qëndrueshme që po udhëheqin mobilimin e banjove në vitin 2025:

1. Përdorimi i materialeve të ricikluara

Markat kryesore ofrojnë tashmë lavamanë, vaska e madje edhe tualete të prodhuara nga materiale të ricikluara, si kompoziti drusor i papërshkueshëm nga uji, i përftuar nga mbetjet e hirit. Ky material zëvendëson qeramikën dhe gurin duke reduktuar ndjeshëm gjurmën e karbonit. Përveçse është i qëndrueshëm, ofrohet edhe në ngjyra të inspiruara nga peizazhi nordik, si dhe në nuanca me porosi, shkruan Livingetc, përcjell Telegrafi.

shutterstock

2. Dushe inteligjente

Përdorimi i ujit është një çështje që nuk mund të injorohet. Dushet inteligjente janë krijuar për të reduktuar konsumin e ujit pa kompromentuar përvojën e përdoruesit. Sistemet e reja përfshijnë matës të konsumit në kohë reale, që ju ndihmojnë të kuptoni dhe të ndryshoni zakonet e përdorimit të ujit.

3. Çeliku inox (i pandryshkshëm)

Elegant, i qëndrueshëm dhe 100% i riciklueshëm, çeliku inox po bëhet materiali më i kërkuar për banjot moderne. Përveç pamjes moderne, ai ka jetëgjatësi të madhe, rezistencë ndaj korrozionit dhe kontribuon në dizajnin e përgjegjshëm ekologjik.

shutterstock

4. Boja pa përbërës të dëmshëm

Boja tradicionale shpesh përmban substanca organike të paqëndrueshme (VOC), të cilat janë të dëmshme për shëndetin dhe ambientin. Sot, rekomandohet përdorimi i bojërave ekologjike me përmbajtje shumë të ulët të VOC, të cilat krijojnë një mjedis më të shëndetshëm dhe banjo më të freskët e më relaksuese.

shutterstock

5. Rikthimi i materialeve natyrore

Bambuja, druri, qelqi, pllakat prej qeramike apo guri natyror po bëhen gjithnjë e më të pranishme në dizajnin modern. Përveç estetikës së tyre të qetë dhe elegante, këto materiale kanë jetëgjatësi dhe sjellin një atmosferë të ngrohtë e të natyrshme në banjo.

shutterstock

6. Riparimi dhe rifreskimi, jo gjithmonë zëvendësimi

Trendi më i qëndrueshëm nuk është një material, por një qasje: ripërdorimi në vend të zëvendësimit. Në vend që të prishni një banjo të tërë, mund të rinovoni mobiliet ekzistuese me lavamanë apo rubineta të rinj, ose t’i jepni jetë të re një dushi apo vaskë me riveshje moderne. Kjo kursen para, shmang mbetjet dhe sjell një pamje krejtësisht të re.

7. Dizajni si investim afatgjatë

Dizajni i qëndrueshëm është i lidhur ngushtë me produkte të cilësisë së lartë dhe jetëgjatësi të madhe. Një investim i vetëm në një element funksional e estetik mund të zgjasë dekada, duke reduktuar mbetjet dhe konsumin. /Telegrafi/