Please enter at least 3 characters.

Sophia Laforteza largohet përkohësisht nga KATSEYE për t’u fokusuar te shëndeti mendor

Sophia Laforteza, një nga anëtaret kryesore të grupit KATSEYE, do të marrë një pauzë të përkohshme nga aktivitetet e grupit për t’u fokusuar në shëndetin dhe mirëqenien e saj mendore.

Lajmin e kanë bërë të ditur KATSEYE dhe vetë këngëtarja përmes deklaratave të publikuara në Instagram të premten.

Grupi shpjegoi se Sophia nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në aktivitetet e ardhshme promovuese, duke theksuar se në këtë moment prioriteti kryesor është shëndeti i saj, shkruan DailyMail.

Sipas deklaratës së grupit, 23-vjeçarja ka marrë mbështetjen e plotë të ekipit dhe, pas konsultimeve me profesionistë të shëndetit, është këshilluar të marrë një periudhë pushimi dhe kujdesi të vazhdueshëm.

Gjendja e saj pritet të rivlerësohet në shtator, kur edhe mund të ketë një përditësim për rikthimin e saj në aktivitetet e KATSEYE.

Edhe Sophia iu drejtua fansave të saj, duke shprehur keqardhjen që do të humbasë disa nga angazhimet e ardhshme.

“Më thyen vërtet zemrën që më duhet të humbas shumë gjëra”, shkroi ajo, duke shtuar se e di sa shumë i pëlqen të jetë në skenë dhe të ndajë këto momente me fansat.

Pauza e Sophia-s vjen vetëm gjashtë muaj pasi edhe një tjetër anëtare e KATSEYE, Manon Bannerman, njoftoi se do të largohej përkohësisht nga aktivitetet e grupit për t’u përqendruar te shëndeti dhe mirëqenia e saj.

Lajmi vjen në një periudhë të rëndësishme për KATSEYE, pasi grupi pritet të publikojë së shpejti EP-në e re, “WILD”, ndërsa në shtator do të nisë turneun botëror.

Paralelisht, fansat po presin edhe dokumentarin “KATSEYE: Wild Hearts”, i cili do të shfaqet në kinema. /Telegrafi/