Please enter at least 3 characters.

“S’kemi pasë rast ku tre burra për një vit planifikojnë me vra një grua”, avokati Syla kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit

Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leotrim Syla, ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit në lidhje me vrasjen e saj, duke theksuar se provat dhe dëshmitë e paraqitura gjatë gjykimit tregojnë për një planifikim të gjatë dhe të organizuar të krimit.

Në fjalën përfundimtare, Syla u shpreh se rasti është zbardhur kryesisht përmes deklaratave të të akuzuarve, të cilët shpesh kanë rënë në kundërshtim me njëri-tjetrin.

“I nderuar trup gjykues, sot flasim në emër të asaj që nuk është më këtu, në emër të fëmijëve, familjes së saj dhe të gjithë shqiptarëve që kanë ndjerë këtë tragjedi. Që nga seanca fillestare, kemi argumentuar se ky krim makabër do të zbardhet nga vetë të akuzuarit, qoftë duke akuzuar njëri-tjetrin, qoftë në bashkëpunim”, deklaroi ai.

Syla shtoi se video-incizimet dhe provat e tjera kanë qenë vendimtare për të dokumentuar takimet dhe komunikimet mes të akuzuarve.

“Kemi pasur fat që hetuesit punuan intensivisht dhe përmes video-incizimeve kemi pasur pamjen e plotë të takimeve të tyre”, tha ai.

Ai nënvizoi se ky rast dallon nga rastet e tjera për shkak të planifikimit të gjatë dhe përfshirjes së disa personave në organizimin e vrasjes.

Syla bëri thirrje për dënim maksimal, duke argumentuar se tre të akuzuarit kanë punuar së bashku për të paktën një vit dhe kanë organizuar vrasjen në mënyrë të qëllimshme dhe të planifikuar.

“Nuk ka pasur asnjëherë raste të ngjashëm ku ndryshe nga rastet e tjera ku në një nervozë momentale është vrarë një grua, veç kurrë s’kemi pasë rast ku tre burra për një vit planifikojnë me vra një grua e mandej mundohen të tre me u shfajësuar se kush, si, e qysh e ka bërë. Në këtë fjalë përfundimtare e cila ka mbi 30 faqe është e pamundur me elaboru këtu para jush të tërën, por që qoftë nga elaborimi i të gjitha dëshmive e të pjesëve të procesverbaleve ku vetë të akuzuarit e kanë treguar se çfarë kanë bërë, e kanë rënë në kundërshtim me veten e tyre e me njëri-tjetrin, është argumentuar se bashkërisht si grup i organizuar që ka punuar së paku për një vit bashkë, e kanë organizuar këtë vrasje e që nëse për vrasje të tjera është shqiptuar ndonjëherë dënimi me burgim të përjetshëm si dënimi maksimal, nuk kemi dënim më të madh, kështu që s’kemi çfarë të japim më pak se dënimi me burgim të përjetshëm”, tha ai. /Telegrafi/