Please enter at least 3 characters.

Sindikata e Policisë në zi për Altin Kryeziun: Humbje e rëndë për kolegët

Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur ngushëllime për familjen, të afërmit dhe kolegët e zyrtarit policor Altin Kryeziu, i cili ndërroi jetë si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident trafiku gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Përmes një telegrami ngushëllimi, Sindikata ka ndarë dhimbjen me familjen e të ndjerit dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Me rastin e ndarjes nga jeta të punonjësit policor Altin Kryeziu, Sindikata e Policisë së Kosovës i shpreh familjes së të ndjerit, të afërmve, miqve, kolegëve dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në reagim.

Sindikata ka vlerësuar jetën dhe kontributin e Kryeziut në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e detyrës zyrtare.

“Në këto çaste të dhimbjes së thellë, shprehim respektin tonë për jetën dhe kontributin e të ndjerit në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e detyrës zyrtare”, thuhet më tej në telegram.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka theksuar se i paharruar qoftë kujtimi për të ndjerin Altin Kryeziu./Telegrafi/