Si po e thellon Serbia bashkëpunimin ushtarak me Izraelin, planifikohet prodhimi i dronëve në territorin serb
Derisa presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kishte hedhur akuza të pabaza ndaj marrëveshjes Kosovë-Shqipëri-Kroaci, vetë vazhdon të rris arsenalin ushtarak.
Kjo u dëshmua me bashkëpunimin ushtarak mes Serbisë dhe Izraelit sëfundi.
Beogradi është shndërruar në një nga partnerët më të rëndësishëm të Tel Avivit në fushën e mbrojtjes që nga fillimi i ofensivës izraelite në Gaza në vitin 2023.
Sipas raportimeve, eksportet e armëve nga Serbia drejt Izraelit janë rritur vazhdimisht gjatë viteve të fundit, ndërsa dy vendet po zgjerojnë bashkëpunimin edhe në industrinë e prodhimit ushtarak.
Një nga projektet e paralajmëruara është ngritja e një fabrike të re për prodhimin e dronëve luftarakë në Serbi, e cila do të jetë në pronësi të përbashkët të kompanisë izraelite Elbit Systems dhe kompanisë shtetërore serbe Yugoimport SDPR.
Fabrika pritet të prodhojë dronë luftarakë me rreze të shkurtër dhe të gjatë veprimi, duke e zgjeruar më tej bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve në sektorin e mbrojtjes.
Dy kontrata të rëndësishme me Elbit Systems e tregojnë historinë. Në fillim të vitit 2025, Serbia bleu 335 milionë dollarë në artileri raketore precize dhe mjete ajrore pa pilot (UAV) Hermes 900.
Në gusht 2025, të dy qeveritë nënshkruan një marrëveshje pasuese prej 1.6 miliardë dollarësh që mbulonte raketa precize me rreze të gjatë veprimi, UAV shtesë, suita lufte elektronike, platforma komande dhe kontrolli dhe përmirësime të shikimit natën. Dërgesat do të zgjasin deri në vitin 2030.
Në këtë kontekst, rritja e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, e kombinuar me historikun e luftërave në ish-Jugosllavi gjatë viteve ’90, po ngre shqetësime të vazhdueshme në rajon për mënyrën se si këto kapacitete mund të ndikojnë në balancat e ardhshme të sigurisë në Ballkan.
Sipas këtyre vlerësimeve, zhvillimi i industrisë ushtarake dhe modernizimi i arsenalit serb, në një mjedis ende të ndjeshëm politik në rajon, kërkon monitorim të shtuar ndërkombëtar, për të shmangur përshkallëzime të mundshme të tensioneve në të ardhmen./Telegrafi.


