Please enter at least 3 characters.

Shtëpia prej 40 metrash katrorë që dëshmon se pushimi i vërtetë nuk kërkon luks

Me mure guri, shumë dritë dhe pamje drejt detit, kjo shtëpi e rinovuar është shembull se si hapësira e vogël mund të bëhet tepër funksionale dhe e ngrohtë

Mikromjedisi i shtëpizave me sipërfaqe deri në 50 metra katrorë, me oaza të vogla gjelbërimi dhe pamje të mrekullueshme, edhe sot përfaqëson një arratisje të vërtetë nga përditshmëria e zhurmshme e qyteteve të mëdha përreth.

Shtëpia pranë detit nuk duhet të ketë shumë metra katrorë

Dëshira e pronarëve të rinj ishte që gjendjen e braktisur të shtëpizës, me sipërfaqe rreth 40 metra katrorë, ta rinovonin dhe t’i jepnin një cikël të ri jete, duke shfrytëzuar sa më shumë elementet ekzistuese të shëndetshme të ndërtimit.

Ideja arkitektonike ishte të rikthehej thelbi fillestar i kësaj shtëpie: të ofrojë një strehë praktike për dy persona. Edhe pse historia e shkurtër e pronarëve të parë për shumëkënd mund të dukej e parëndësishme, ajo u shqyrtua me kujdes bashkë me pronarët e rinj dhe u reinterpretua maksimalisht përmes një dizajni bashkëkohor, transmeton Telegrafi.

U ndoq filozofia se një shtëpi pranë detit nuk duhet të ketë shumë metra katrorë, por theksi duhet të jetë te qëndrimi në natyrë dhe te vetë deti.

Shtëpia duhej të mbetej funksionale dhe praktike, ndërsa ardhjet dhe largimet drejt detit të ishin të thjeshta dhe pa ngarkesë. Për pronarët, ajo duhej të ruante pikërisht këtë karakter: funksionalitetin dhe prakticitetin, por me vulën e kohës së re.

Natyra dhe pamja bëhen pjesë e brendshme e shtëpisë

Me transformimin e objektit, nga forma fillestare me mure trekëndore në pjesën ballore në një kub bashkëkohor të hapur drejt detit, hapësira dikur e mbyllur dhe e ulët u shndërrua në një interier të mbushur me dritë.

Kjo bëri të mundur që natyra dhe pamja të bëhen pjesë e rëndësishme e brendësisë, ndërsa shtëpia të lidhet më mirë me ambientin përreth dhe me kontekstin e vendbanimit. Rinovimi përfshiu sanimin e plotë, heqjen e pjesëve të amortizuara dhe vendosjen e elementeve të reja, të nevojshme për një përdorim më bashkëkohor të hapësirës.

Muret prej guri u ruajtën si pjesë mbajtëse dhe vizualisht e rëndësishme e strukturës ekzistuese të shtëpisë. Mbulesa e vjetër, trarët, muret nga gips-kartoni dhe streha prej druri, e cila nuk ishte e shfrytëzueshme, duhej të hiqeshin dhe të zëvendësoheshin me një kornizë të re prej betoni dhe xhami.

/Telegrafi/