Please enter at least 3 characters.

Shoqata e Industrisë së Qumështit kërkon sqarime për inspektimin në VITA: Të publikohen dokumentet dhe të garantohet transparencë

Shoqata e Industrisë e Qumështit e Kosovës ka reaguar publikisht pas inspektimit të zhvilluar në Qumështoren VITA nga Agjencia e Ushqimit dhe të Veterinarisë (AUV) duke kërkuar sqarime nga institucionet përgjegjëse mbi mënyrën e zhvillimit të kontrollit.

Në reagimin e saj, shoqata thekson se mbështet plotësisht zbatimin e ligjit dhe kontrollet zyrtare që garantojnë sigurinë ushqimore, por nënvizon se çdo inspektim duhet të kryhet me profesionalizëm, transparencë dhe në përputhje të plotë me procedurat ligjore.

Shoqata i ka bërë thirrje ministrit të MBPZHR-së, Armend Muja, dhe kryeshefit ekzekutiv të AUV-së, Bekim Hoxha, të sqarojnë publikisht se kush mori pjesë në inspektim, cilët ishin inspektorët e autorizuar, nëse janë respektuar procedurat për marrjen dhe analizimin e mostrave, si dhe arsyen e angazhimit të një numri të madh të stafit gjatë kontrollit.

Sipas Shoqatës së Industrisë së Qumështit, besueshmëria e sistemit të kontrollit ushqimor ndërtohet mbi paanshmërinë dhe respektimin rigoroz të ligjit. Ajo thekson se industria do të vazhdojë të bashkëpunojë me institucionet në çdo kontroll të ligjshëm dhe profesional, por do të mbrojë të drejtat e operatorëve ekonomikë në rastet kur ka dyshime për mosrespektim të procedurave.

Në fund, shoqata u bën thirrje institucioneve që të publikojnë dokumentacionin përkatës dhe të garantojnë transparencë të plotë për këtë rast, me qëllim ruajtjen e besimit të qytetarëve në sistemin e kontrollit ushqimor. /Telegrafi/