Trump dëshiron ta ndajë Albertën nga Kanada, vjen reagimi i kryeministrit kanadez
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, tha se pret që administrata e presidentit amerikan, Donald Trump të “respektojë sovranitetin e Kanadasë” pasi raportohet se separatistë nga Alberta kanë zhvilluar takime me zyrtarë amerikanë.
Carney u shpreh në një konferencë shtypi në Ottawa se lideri amerikan nuk ka ngritur ndonjëherë çështjen e pavarësisë së Albertës direkt me të dhe se ai gjithmonë nënvizon rëndësinë e sovranitetit kanadez në bisedat e tyre.
Këto komente erdhën pas raportimeve se zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit janë takuar disa herë me Alberta Prosperity Project (APP), grup që kërkon një referendum për pavarësi të provincës së pasur me naftë Alberta, shkruan cnn.
David Eby, kryeministër i provincës së British Columbia, e quajti këtë veprim “tradhti”, duke thënë se është e papërshtatshme që një grup të kërkojë ndihmë nga një fuqi e huaj për të ndarë Kanadanë, ndërsa vendi duhet të qëndrojë i bashkuar.
Nga ana tjetër, Danielle Smith, kryeministre e Albertës, tha se ajo punon që provinca të mbetet pjesë e Kanadasë, por një pjesë e qytetarëve të provincës ndjehen të zhgënjyer nga politika federale dhe duan më shumë kontroll për vendimet ekonomike dhe energjetike.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se takimet me separatistët ishin takime rutinë me “grupe të shoqërisë civile” dhe nuk është premtuar ndihmë, as mbështetje financiare nga administrata amerikane. /Telegrafi/


