Sëmundjet e gjakut te fëmijët, nga anemitë te leukemitë - flet pediatrja hematologe, Flora Selimi
Në episodin e 35-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e përkrahur nga United Hospital, pediatrja hematologe Flora Selimi ka folur për diagnostikimin e hershëm, trajtimet dhe sfidat që shoqërojnë sëmundjet e gjakut te fëmijët.
Selimi shpjegoi se hematologjia pediatrike i ndan sëmundjet në dy grupe të mëdha: ato tumorale dhe ato jo-tumorale të gjakut.
Sipas saj, sëmundjet jo-tumorale të gjakut përfshijnë një spektër të gjerë patologjish, ndër to çrregullimet e eritrociteve, të njohura ndryshe si rruazat e kuqe të gjakut, që përfshijnë anemitë.
“Anemitë ndahen në të lindura dhe të fituara. Ato të fituarat janë rezultat i ushqyerjes jo të mirë të fëmijëve dhe mungesës ose deficitit të disa vitaminave, veçanërisht vitaminës B12 dhe acidit folik,” tha ajo.
Pediatrja-hematologe shtoi se sëmundjet tumorale përfshijnë leukemitë (kanceret e gjakut), kanceret e gjëndrave limfatike, të njohura si limfoma, si dhe disa lloje tumorësh solidë. Edhe pse këta të fundit nuk bëjnë pjesë drejtpërdrejt në fushën e hematologjisë, trajtimi i tyre bëhet në repartin e Hematologjisë në Klinikën Pediatrike të QKUK-së.
Selimi po ashtu ka folur veçmas për secilën sëmundje të gjakut te fëmijët, sa i rëndësishëm është diagnostikimi i hershëm te fëmijët dhe se si bëhet trajtimi i tyre.
Të gjitha këto mund t’i ndiqni në podcastin “Shëndeti në rend të parë”.
Ky podcast mbështetet nga United Hospital. /Telegrafi/


