Semestrat në UP paguhen edhe me dokumente të falsifikuara bankare
Studentët e fakulteteve të ndryshme që ndjekin studime të rregullta e me korrespondencë dyshohet se nëpërmjet një “rrjeti të organizuar” u janë shmangur pagesave të rregullta të semestrit, shkruan “Koha Ditore”.
Ka raste kur ata dyshohet se përmes “mashtrimeve dhe falsifikimeve të fletëpagesave bankare” kanë paguar shuma modeste për semestrin, i cili kushton nga 50 euro për studime të rregullta deri në 250 euro për studime me korrespondencë.
Rektorati i UP-së është në dijeni për këtë. Ky institucion ka pranuar ankesa nga disa fakultete që lidhen me këto mashtrime.
Esat Kelmendi, sekretar i Rektoratit të UP-së, ka thënë se gjatë auditimit të jashtëm është vërejtur mospërputhje në të hyrat e UP-së “mes pagesave dhe raporteve bankare”. Andaj thotë se për një gjë të tillë janë të njoftuara edhe organet e hetuesisë.
Kelmendi ka thënë se janë në dijeni për dy raste në Fakultetin Juridik, ku dy studentë kanë paguar nga tri euro në llogarinë e fakultetit, ndërkaq ata studentë kanë prezantuar në fakultet fletëpagesa që dëshmojnë se kanë paguar nga 300 euro për semestër. /Koha Ditore/


