Please enter at least 3 characters.

Rrjeti i supermarketeve LIDL vjen në Shqipëri, merr statusin investitor strategjik

Gjigandi gjerman i supermarketeve LIDL do të hyjë zyrtarisht në tregun shqiptar, pas miratimit të statusit “Investitor Strategjik” për projektin “LIDL – Shqipëria Qendër Logjistike”.

Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike në mbledhjen e mbajtur më 10 prill 2025.

Investimi parashikon një projekt me vlerë mbi 105 milionë euro, i cili do të shtrihet në një sipërfaqe prej 200 mijë metrash katrorë pranë zonës logjistike të Porto Romanos në Durrës, brenda gjurmës së Projektit të Ri Tregtar të Integruar të Portit të Durrësit.

Qendra logjistike që do të ndërtohet do të ketë funksionin kryesor të magazinimit të produkteve me shumicë, duke shërbyer si bazë për furnizimin e tregut shqiptar, përmirësimin e zinxhirit të shpërndarjes dhe nxitjen e eksporteve të produkteve vendore.

Krahas komponentit logjistik, Lidl synon të krijojë një rrjet të gjerë supermarketesh në gjithë Shqipërinë dhe pritet të punësojë rreth 2,500 persona.

Statusi “Investim Strategjik me Procedurë të Veçantë” do të jetë i vlefshëm për një periudhë 3-vjeçare, gjatë së cilës pritet të përmbyllen edhe procedurat e shpronësimit nga Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me institucionet përkatëse.

Projekti do të zbatohet sipas Masterplanit të Portit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano.

Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm për infrastrukturën tregtare dhe logjistike të Shqipërisë, duke sjellë në vend një nga markat më të njohura në Evropë për cilësinë dhe konkurrueshmërinë e saj.