QKMF në Drenas pajiset me shtrat modern për lindje dhe inkubator transportues për foshnje
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare QKMF "Dr Hafir Shala" është pajisur me një shtrat modern për lindje dhe një inkubator transportues për foshnje, përmes një donacioni që synon përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për nënat dhe të porsalindurit në komunën e Drenasit.
Sipas Komunës së Drenasit, pajisjet e reja pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë dhe sigurisë së kujdesit shëndetësor për pacientët në këtë institucion.
Donatorët u pritën nga nënkryetari i komunës, Arben Shala, drejtoresha e Shëndetësisë, Klatrina Qerkinaj, drejtori i QKMF-së, Ismet Bogiqi, si dhe nga stafi i institucionit shëndetësor, të cilët shprehën mirënjohje për kontributin në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Ky donacion është mundësuar nga Action for Mothers and Children përmes menaxherit Fitim Sadiku, si dhe nga Cycle of Kosovo Children, e përfaqësuar nga Agim Bilalli, organizata që kanë kontribuar vazhdimisht në përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve.
Në emër të komunës, nënkryetari Shala ka falënderuar donatorët për mbështetjen e ofruar.
“Mbështetje të tilla përbëjnë një dëshmi të qartë të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave që kanë në fokus mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve”, ka theksuar ai. /Telegrafi/


