Please enter at least 3 characters.

Punëtorët e RTK-së ende pa paga, Sindikata i drejtohet Haxhiut dhe Kurtit - paralajmëron përshkallëzim të veprimeve

Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) i është drejtuar me një letër publike ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për ekzekutimin e pagave të punëtorëve të RTK-së.

Sindikata ka bërë të ditur se, edhe më 9 korrik 2026 pagat e punëtorëve nuk janë ekzekutuar, duke e cilësuar këtë si cenim të një të drejte themelore të punës dhe të dinjitetit të punëtorëve.

Në reagim thuhet se kjo nuk është hera e parë që punëtorët përballen me vonesa të pagave, duke rikujtuar se edhe muajin e kaluar Federata organizoi protesta për të njëjtën çështje.

Federata Sindikale vlerëson se është e papranueshme që transmetuesi publik të funksionojë në kushte ku punëtorët mbeten pa paga, pa afate të qarta, pa transparencë dhe pa komunikim zyrtar nga organet drejtuese.

Po ashtu, ajo akuzon Bordin dhe Menaxhmentin e RTK-së për mungesë transparence, profesionalizmi dhe llogaridhënie, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për situatën e krijuar dhe masa që raste të tilla të mos përsëriten.

Federata u ka bërë thirrje institucioneve që, brenda kompetencave të tyre, të sigurojnë ekzekutimin e menjëhershëm të pagave.

Ajo ka paralajmëruar se, nëse nuk gjendet zgjidhje urgjente, do të përshkallëzojë veprimet sindikale dhe do të ndërmarrë procedura ligjore për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. /Telegrafi/