Prishtina mposht Dukagjinin në trillerin e pesë golave në Klinë
Prishtina ka arritur fitore të rëndësishme si mysafir ndaj Dukagjinit me rezultat 3-2, në një përballje dramatike me plot gola, raste e emocione.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe që në minutën e 10-të bardhekaltërit kaluan në epërsi. Ilievski realizoi pas një asistimi të saktë nga Valmir Veliu, duke e befasuar mbrojtjen vendase, 1-0.
Dukagjini tentoi të reagojë, por në minutën e 26-të ishte Blend Baftiu që dyfishoi epërsinë e Prishtinës me një supergol nga distanca, duke e çuar rezultatin në 2-0.
Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan. Vetëm pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, në minutën e 46-të, Meris Maliqi ngushtoi shifrat në 2-1.
Dominimi i Dukagjinit në këtë periudhë u shpërblye në minutën e 67-të, kur Egzon Sinani barazoi në 2-2 pas një harkimi nga këndorja e Hugo.
Kur gjithçka dukej se do të përfundonte në barazim, Prishtina realizoi nga rasti i parë serioz në pjesën e dytë.
Në minutën e 82-të, Valmir Veliu u gjend i saktë përballë portierit Margono, pas një asisti të Dren Zeqirit, duke vulosur fitoren 2-3 për kryeqytetasit.
Me këtë fitore, Prishtina e nis mirë kampionatin e ri, ndërsa Dukagjini mbetet me shije të hidhur pas një pjese të dytë ku dominoi, por nuk arriti ta marrë asnjë pikë. /Telegrafi/


