Please enter at least 3 characters.

Policia Rajonale e Ferizajt apelon për kujdes ndaj zjarreve: Do të merren masa ligjore ndaj shkaktarëve

zjarret

Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale për parandalimin e zjarreve, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta, kur rreziku për përhapjen e tyre është më i madh.

Përmes një komunikate, policia thekson se çdo zjarr, pavarësisht nëse shkaktohet me dashje apo nga pakujdesia, mund të rrezikojë jetën e njerëzve, të shkaktojë dëme të mëdha materiale dhe të dëmtojë rëndë mjedisin.

Policia apelon që të shmanget djegia e mbeturinave, barit të thatë, sipërfaqeve bujqësore dhe pyjore, si dhe çdo veprim tjetër që mund të shkaktojë zjarr.

"Apelojmë që të shmanget djegia e mbeturinave, barit të thatë, sipërfaqeve bujqësore dhe pyjore, si dhe çdo veprim tjetër që mund të shkaktojë zjarr", thuhet në komunikatë.

Po ashtu, autoritetet paralajmërojnë se do të veprojnë ndaj çdo personi që shkakton zjarr, qoftë me dashje apo si pasojë e neglizhencës.

"Policia Rajonale e Ferizajt do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj çdo personi që shkakton zjarr, me dashje ose nga neglizhenca", theksohet në komunikatë.

Në fund, Policia Rajonale e Ferizajt u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e rendit dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të zjarrvënies ose situatë që mund të paraqesë rrezik.

"Së bashku mund të mbrojmë jetën, pronën dhe mjedisin tonë", përfundon apeli i Policisë. /Telegrafi/