Pas largimit të Rodrit, Maresca zbulon objektivin e Man Cityt
Enzo Maresca beson se Manchester City mund të gjejë një zëvendësues afatgjatë për Rodrin, pas largimit të mesfushorit spanjoll drejt Barcelonës.
Rodri i dha fund aventurës së tij shtatëvjeçare në “Etihad”, gjatë së cilës u shndërrua në një nga mesfushorët më të mirë në botë dhe fitoi edhe “Topin e Artë” në vitin 2024.
Megjithatë, Maresca është i bindur se Manchester City ka dëshmuar vazhdimisht se di të zëvendësojë edhe lojtarët më të rëndësishëm të historisë së klubit.
Rodri, në fakt, ishte afruar si pasues i Fernandinhos dhe më pas u shndërrua në një prej figurave kryesore të suksesit të skuadrës.
“Duhet të përpiqemi të gjejmë Rodrin e ri. Kjo është situata dhe duhet ta pranojmë. Kur Rodri mbërriti këtu, ai nuk kishte fituar ende Topin e Artë, Ligën e Kampionëve apo Kupën e Botës për Klube”, është shprehur Maresca.
“Pasi iu bashkua klubit, ai arriti shumë gjëra të rëndësishme. Tani synimi ynë është të përpiqemi të gjejmë Rodrin e ri”.
Maresca kujtoi edhe raste të tjera kur City ka arritur të gjejë pasuesit e duhur pas largimit të legjendave të klubit.
“Po mendoja mbrëmë për kohën kur David Silva ishte këtu dhe të gjithë ishin të shqetësuar për atë që do të ndodhte. Më pas erdhi Kevin De Bruyne. Kur ishte Aguero, të gjithë ishin të shqetësuar dhe më pas erdhi Erlingu. E njëjta gjë ndodhi me Fernandinhon dhe Rodrin”, tha ai.
“Është thjesht çështje ndryshimi. Kur dikush largohet, ne duhet të rekrutojmë lojtarin e radhës. Është normale. Duhet të vazhdojmë përpara dhe të provojmë sërish”, përfundoi Marseca. /Telegrafi/


