Pas disa ditësh kërkimesh, gjendet trupi i pajetë i 5-vjeçarit shqiptar në lumin Reuss në Zvicër
Pas disa ditësh kërkimesh intensive në lumin Reuss, është gjetur trupi i pajetë i 5-vjeçarit Tian Rahimi, që ishte zhdukur pas aksidentit me varkë në kantonin Aargau.
Trupi i pajetë i fëmijës është gjetur të martën pasdite në komunën Merenschwand nga persona të tretë.
Policia kantonale e Aargaut ka konfirmuar se është gjetur trupi i një fëmije të pajetë, ndërsa të gjitha shenjat tregojnë se bëhet fjalë për 5 vjeçarin.
Zëdhënësi i Policisë Kantonale të Aargaut, Dominic Zimmerli, tha se: “Sipas të dhënave të para, duket se bëhet fjalë për djalin 5-vjeçar të zhdukur që nga e shtuna. Megjithatë, identifikimi zyrtar ende nuk është kryer.”
Sipas raportimeve të mediave zvicerane “20 Minuten” dhe “Blick”, fëmija u zhduk të shtunën pasdite, kur një varkë gome me një familje prej katër anëtarësh u përmbys pas përplasjes me një pemë të rënë në ujë.
Të dy prindërit dhe vajza 7-vjeçare arritën të shpëtonin dhe dolën në breg, ndërsa 5-vjeçari u zhduk në ujërat e lumit Reuss.
Operacioni i kërkimit ishte zhvilluar përgjatë gjithë segmentit të lumit Reuss në zonën e Mühlau.
Sipas një dëshmitari, policia dhe ekipet emergjente kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe zona është rrethuar.
Autoritetet zvicerane po vazhdojnë procedurat zyrtare të identifikimit dhe hetimet për rrethanat e sakta të aksidentit. /Telegrafi/


