Osmani mirëpret marrëveshjen historike ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë: Nën udhëheqjen e SHBA-së, bota është më e sigurt
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mirëpritur marrëveshjen e paqes së arritur mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, të cilën e ndërmjetësoi presidenti amerikan Donald Trump.
Osmani në llogarinë e saj zyrtare në "X", ka shkruar se marrëveshja historike e paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë është një dëshmi e asaj që mund të arrijë lidershipi i fortë amerikan, transmeton Telegrafi.
"Nën udhëheqjen e SHBA-së, bota është më e sigurt, më e fortë dhe më e begatë. Kosova është krenare që qëndron krah për krah me SHBA-në në avancimin e paqes në rajonin tonë dhe globalisht", ka pohuar ajo.
Ndryshe, udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit, Nikol Pashinyan dhe Ilham Aliyev, nënshkruan një marrëveshje paqeje në prani të presidentit të SHBA-së Donald Trump në Uashington, pas pothuajse katër dekadash të një konflikti të përgjakshëm në Karabak.
“Sot po vendosim paqen në Kaukazin e Jugut”, tha presidenti i Azerbajxhanit, Aliyev, shkruan euronews.
“Sot po shkruajmë një histori të re të madhe”.
Kryeministri armen, Pashinyan, shtoi se kjo marrëveshje përfaqësonte “hapjen e një kapitulli paqeje”.
“Ne po hedhim themelet për një histori më të mirë se ajo që kishim në të kaluarën”, shtoi ai.
“Vendet e Armenisë dhe Azerbajxhanit po angazhohen t’i japin fund të gjitha luftimeve përgjithmonë”, tha Trump.
Raportohet se Armenia dhe Azerbajxhani ranë dakord të krijojnë një korridor të madh tranziti që do të quhet Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar./Telegrafi/


