Please enter at least 3 characters.

Njollë kafe në lëkurë? Shenjat që tregojnë se duhet marrë seriozisht

Shumica e njollave kafe lidhen me diellin, moshën ose ndryshimet hormonale, por ndryshimi i formës, madhësisë, ngjyrës apo gjakderdhja kërkon kontroll dermatologjik

Njollat kafe në lëkurë janë shumë të zakonshme. Pothuajse çdo njeri, në një moment të jetës, mund të zhvillojë ndonjë formë të tyre. Në shumicën e rasteve ato janë shenja të padëmshme të ekspozimit në diell dhe të plakjes së lëkurës, por ndonjëherë mund të tregojnë edhe gjendje më serioze shëndetësore.

Kjo hiperpigmentim ndodh kur trupi prodhon më shumë melaninë, gjë që shkakton paraqitjen e njollave ose zonave më të errëta në lëkurë.

“Çdo ditë shoh njolla kafe në praktikë dhe pothuajse te çdo pacient. Gati çdo person ka ndonjë lloj njolle kafe, zakonisht nishane ose njolla nga dielli”, thotë dr. William Kwan, dermatolog i certifikuar në Golden State Dermatology në Kaliforni.

Dr. Elizabeth Rubin, mjeke e certifikuar e mjekësisë emergjente në një spital në Los Angeles, thekson se çelësi është dallimi ndërmjet njollave të qëndrueshme, me ngjyrë të njëtrajtshme, dhe atyre që me kalimin e kohës ndryshojnë ngjyrë, madhësi ose formë. Këto të fundit kërkojnë vlerësim mjekësor, transmeton Telegrafi.

Shkaqet e njollave kafe në lëkurë

Njollat kafe mund të paraqiten në disa forma, secila me karakteristika të veçanta. Dermatologët më shpesh shohin këto lloje:

Njollat e moshës ose njollat nga dielli

Shkaku më i zakonshëm i njollave kafe është ekspozimi në diell. “Ekspozimi i grumbulluar në diell dhe rrezitja çojnë në shumë njolla kafe në pjesët e lëkurës që janë të ekspozuara”, thotë dr. Kwan.

Këto njolla të sheshta zhvillohen pas ekspozimit në diell dhe mund të kenë nuanca të ndryshme kafeje, të nxira ose të zeza. Zakonisht shfaqen në fytyrë, duar, shpatulla dhe pjesën e sipërme të krahëve.

“Rrezatimi UV nxit prodhimin e tepërt të melaninës në zona të caktuara, duke krijuar ato njolla karakteristike të errëta. Edhe plakja luan rol të rëndësishëm, sepse mekanizmat natyrorë të riparimit të lëkurës dhe shpërndarja e pigmentit bëhen më pak efikasë me kalimin e kohës”, shpjegon dr. Elizabeth Rubin.

Nishanet

Pothuajse të gjithë kanë nishane, njolla kafe, shpesh pak të ngritura, që mund të shfaqen kudo në trup.

Dr. Kwan thotë se nishanet janë ndër llojet më të shpeshta të njollave kafe që kanë njerëzit.

Edhe pse shumica e nishaneve janë plotësisht beninje, çdo nishan që ndryshon madhësi, formë ose ngjyrë duhet të kontrollohet nga dermatologu.

Pikat e diellit dhe qukat

Qukat janë njolla të vogla kafe, me prirje trashëgimore, të cilat bëhen më të dukshme pas ekspozimit në diell.

Ato janë të sheshta, zakonisht kafe të çelëta, dhe shfaqen shpesh në pjesët e trupit që preken më shumë nga dielli, si fytyra, shpatullat dhe duart.

Më shpesh vërehen te njerëzit me lëkurë të çelët dhe me flokë më të hapur.

Melasma

Edhe luhatjet hormonale mund të shkaktojnë një lloj të veçantë pigmentimi kafe, që quhet melasma.

“Shtatzënia, menopauza ose përdorimi i pilulave kontraceptive mund të çojnë në melasmë, një lloj pigmentimi kafe që shpesh shfaqet në faqe ose në ballë”, shpjegon dr. Rubin.

Kjo formë hormonale e hiperpigmentimit prek shumë gra dhe mund të zgjasë për një kohë të gjatë.

Hiperpigmentimi pas inflamacionit

Ky lloj hiperpigmentimi shfaqet kur lëkura errësohet pas një dëmtimi ose inflamacioni.

“Aknet janë shkak i shpeshtë i hiperpigmentimit, ashtu si çdo lloj dëmtimi i lëkurës”, thotë dr. Rubin.

Këto njolla të errëta mund të mbeten edhe pasi lëkura të jetë shëruar nga djegiet, prerjet, gërvishtjet, ekzema ose irritime të tjera.

Ndryshimi i ngjyrës i lidhur me barnat

Disa barna mund ta rrisin ndjeshmërinë ndaj diellit dhe të ndikojnë në ndryshime të pigmentimit.

Sipas dr. Rubin, barnat antiinflamatore josteroide, disa antibiotikë dhe disa barna kimioterapie mund të çojnë në shfaqjen e njollave kafe.

“Këto lloje barnash mund edhe t’i përkeqësojnë njollat kafe. Faktorët e stilit të jetesës, si pirja e duhanit, ekspozimi i tepërt në diell dhe mbrojtja e pamjaftueshme nga dielli, e përshpejtojnë zhvillimin e njollave kafe në të gjitha kategoritë”, shton dr. Kwan për Healthy.

Shkaqe të rralla, por serioze të njollave kafe

Edhe pse shumica e njollave kafe janë të padëmshme, ekzistojnë edhe disa shkaqe më të rralla që kërkojnë vëmendje të menjëhershme.

“Sëmundja Addison, çrregullim i gjëndrave mbiveshkore, mund të shkaktojë errësim të lëkurës, sidomos në palosjet e lëkurës ose në pikat e presionit. Kjo lidhet me faktin se gjëndrat mbiveshkore nuk prodhojnë mjaftueshëm hormone”, shpjegon dr. Kwan.

Hemokromatoza, gjendje që lidhet me grumbullimin e tepërt të hekurit në organizëm, mund t’i japë lëkurës pamje bronzi.

Edhe disa gjendje gjenetike, si sindroma Peutz-Jeghers, shkaktojnë njolla karakteristike kafe ose të ngjashme me quka rreth gojës ose në mukozë.

Problemet metabolike po ashtu mund të shfaqen përmes ndryshimeve në lëkurë.

“Diabeti mund të shkaktojë acanthosis nigricans, që është errësim i lëkurës me pamje të butë, si kadife, zakonisht në qafë, sqetulla dhe ije”, thotë dr. Rubin.

Insuficienca akute dhe kronike e mëlçisë gjithashtu mund të çojë në hiperpigmentim.

“Këta janë vetëm disa shembuj, prandaj nëse dikush fillon të vërejë shenja të njollave të reja kafe në moshë të rritur, do të ishte e mençur të konsultohej me dermatolog të certifikuar”, thotë dr. Kwan.

Kur njollat kafe mund të sinjalizojnë kancer të lëkurës

Çdo nishan që ka ndryshuar madhësi, formë ose ngjyrë duhet të kontrollohet nga dermatologu, theksojnë të dy ekspertët.

“Çdo njollë që rritet shpejt, bëhet e dhimbshme, krijon kore ose gjakos spontanisht duhet të kontrollohet menjëherë nga mjeku ose dermatologu”, paralajmëron dr. Rubin. /Telegrafi/