Please enter at least 3 characters.

Një tjetër largim i madh pritet të ndodhë te Barcelona

Ronald Araujo po përballet me ditë vendimtare për të përcaktuar rolin e tij si futbollist i Barcelonës për sezonin e ardhshëm.

Mbrojtësi uruguaian do të rikthehet në skuadrën e blaugranasve më 20 korrik, pasi përfitoi disa ditë pushim shtesë pas pjesëmarrjes me Uruguain në Kupën e Botës, dhe do të zhvillojë një bisedë të rëndësishme me trajnerin Hansi Flick, e cila mund të ndikojë në të ardhmen e tij të afërt.

26-vjeçari vazhdon të jetë kapiteni i parë i Barcelonës dhe ka kontratë me klubin deri më 30 qershor 2031.

Megjithatë, konkurrenca e madhe në repartin e mbrojtjes dhe interesimi nga Atletico Madrid e kanë bërë situatën e tij një nga çështjet më të rëndësishme të afatit kalimtar, raporton Mundo Deportivo.

Prioriteti i Araujo mbetet të ketë sukses te Barcelona. Reprezentuesi uruguaian planifikon t'i bashkohet stërvitjeve pasi të përfundojë periudhën e pushimit të lejuar nga klubi, pasi ai qëndroi i fokusuar me kombëtaren deri në përfundimin e fazës së grupeve të Kupës së Botës.

Gjatë turneut, ai nuk arriti të luajë për shkak të një dëmtimi në pulpën e këmbës së djathtë. Edhe pse u rikuperua para ndeshjes kundër Spanjës dhe ishte në dispozicion të trajnerit Marcelo Bielsa, ky i fundit vendosi të mos e aktivizonte.

Sfida më e madhe për Araujon do të jetë rikthimi i një vendi të sigurt në formacionin titullar. Sezonin e kaluar, ai kishte vërejtur tashmë rritjen e ndjeshme të konkurrencës pas tejkalimit të problemeve fizike.

Aktualisht, Hansi Flick ka një numër të madh opsionesh në qendër të mbrojtjes, me Pau Cubarsin, Eric Garcia, Andreas Christensen, Gerard Martin, Alvaro Cortes dhe vetë Araujon që luftojnë për minuta në një nga repartet më të kontestuara të skuadrës./Telegrafi/