Please enter at least 3 characters.

Një shqiptar vritet jashtë restorantit në periferi të Detroit, SHBA - i dyshuari thuhet se ishte një mik i tij

Një i dyshuar është në paraburgim pasi një burrë u gjet i qëlluar dhe i vrarë jashtë restorantit të tij në periferi të Detroit, Michigant - të dielën në mbrëmje.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, të shtënat ndodhën rreth orës 9:38 të mbrëmjes së së dielës në restorantin Prime 7, i vendosur në 8635 Cooley Lake Road në Commerce Township.

Kur mbërritën oficerët, ata gjetën viktimën, 44-vjeçarin Francesk Shkambi, i cili është bashkëpronar dhe menaxher i Prime 7, të shtrirë në oborrin jashtë restorantit.

Oficerët, së bashku me paramedikët e Departamentit të Zjarrfikësve të Commerce Township, kryen masa shpëtimi për Shkambin përpara se ta çonin në një spital të zonës, ku ai vdiq më vonë, sipas zyrës së sherifit.

Një i dyshuar, i identifikuar si një burrë 65-vjeçar nga Farmington Hills, u dorëzua në forcat e rendit afërsisht 20 minuta pas të shtënave, thanë oficerët.

Detektivët gjetën një pistoletë 9 mm që ata besojnë se është përdorur në të shtënat.

Arma ishte raportuar më parë e vjedhur, sipas oficerëve.

Familja e Shkambit thotë se vdekja e tij nuk është vetëm një humbje për ta, por për këdo që e njihte.

Ata shtuan se besojnë se i dyshuari ishte një mik i xhaxhait të tyre.

I dyshuari aktualisht po mbahet në Burgun e Qarkut Oakland në pritje të akuzave. /Telegrafi/