Nga Zall Herri në Bizë, trupat e Forcës Tokësore shqiptare nisen për stërvitjen e "Defender Europe"
Në orët e para të mëngjesit nga Zall Herri, trupat e Forcës Tokësore shqiptare janë nisur drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë për të marrë pjesë në stërvitjen “Defender Europe 25”.
Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Mirëmëngjesi nga Zall Herri ku në orët e para të mëngjesit, trupat e Forcës Tokësore janë nisur drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë, për të filluar zyrtarisht Defender Europe 25 – një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë”, ka shkruar ministri Vengu.
“Defender Europe 25” cilësohet si një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë.
Ajo zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerëve strategjikë, duke pasur për qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave të ndryshme. /Telegrafi/


