Ndërpritet protesta për ujin në Dragash pas premtimit për furnizim pa reduktime
Qytetarët e Dragashit kanë protestuar sot për mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa protesta është ndërprerë pasi kryetari i Komunës ka premtuar se furnizimi nuk do të ndërpritet dhe nuk do të ketë reduktime.
Protesta u organizua nga qytetarët si reagim ndaj problemeve të vazhdueshme me furnizimin me ujë, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan zgjidhje konkrete për një nga nevojat themelore të banorëve.
Në njoftimin pas protestës, organizatorët kanë thënë se tubimi ka kaluar me sukses dhe kanë falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen.
“Protestën e sotme e ndërpremë për arsye se kryetari i Komunës ka dhënë premtimin se furnizimi me ujë nuk do të ndërpritet dhe nuk do të ketë reduktime”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, organizatorët kanë paralajmëruar se do të rikthehen në protestë nëse problemi përsëritet.
“Por le të jetë e qartë: Nëse reduktimet e ujit fillojnë përsëri, ne do të jemi sërish në rrugë”, kanë deklaruar ata.
“Nuk do të heshtim dhe nuk do të lejojmë që qytetarët të mbeten pa ujë, ndërkohë që problemi vazhdon”, thuhet më tej.
Problemet me furnizimin janë konfirmuar edhe nga KRU “Hidroregjioni Jugor”.
Menaxheri i degës së kësaj kompanie në Dragash, Izet Aliu, ka deklaruar për Telegrafin se qyteti aktualisht nuk po merr sasi të mjaftueshme të ujit.
“Unë si menaxher i njësisë së ujësjellësit në Dragash, me plot përgjegjësi konfirmoj se ka mungesë të ujit në Dragash. Qytetarët janë duke u përballur me mungesë të ujit, domethënë nuk po vjen sasi e mjaftueshme e ujit”, ka deklaruar Aliu.
Sipas tij, problemi lidhet me sasinë e ujit që vjen nga burimi i Radesha, i cili tradicionalisht ka furnizuar Dragashin.
“Që tash sasia që po vjen prej burimit atje nuk është e mjaftueshme për furnizimin e qytetarëve të Dragashit me ujë”, ka thënë Aliu.
Ai ka sqaruar se një pjesë e ujit nga ky burim shkon në fabrikën e përpunimit të ujit, ndërsa pjesa tjetër në drejtim të Dragashit.
“Uji i Dragashit është e vërtetë që po bartet edhe në fshatrat e Opojës. Uji i lumit Radesha që vjen për Dragash, që është furnizuar Dragashi me atë ujë gjithmonë, një pjesë është duke ardhur në Dragash, pjesa tjetër është duke shkuar në fabrikën për përpunimin e ujit”, ka deklaruar ai.
Aliu ka theksuar se KRU “Hidroregjioni Jugor” nuk e konsideron problemin si çështje të rrjetit të furnizimit, por të mungesës së sasisë së ujit që arrin në sistem.
“Nuk ka problem i furnizimit të Hidroregjionit Jugor. Problemi është që Hidroregjionit Jugor nuk po i vjen sasi e mjaftueshme e ujit për me i furnizu qytetarët”, ka thënë Aliu.
“Ne, me sasinë ekzistuese, nuk mundemi me i furnizu qytetarët”, ka shtuar ai.
Sipas tij, për situatën janë zhvilluar takime ndërmjet zyrtarëve të KRU-së dhe Komunës së Dragashit, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje urgjente.
“Për këtë problem sot zyrtarët e kompanisë Hidroregjioni Jugor kanë pasur takime me zyrtarët e Komunës së Dragashit dhe kanë kërkuar me e zgjidhë urgjentisht këtë problem të furnizimit të qytetarëve me ujë”, ka deklaruar Aliu.
Ai ka bërë të ditur se është premtuar rritja e sasisë së ujit që do të dërgohet drejt qytetit.
“Është premtuar se do të merren të gjitha masat sot për me rritë sasinë e ujit, me lëshu sasinë e ujit për me ardhë në Dragash për furnizim të qytetarëve”, ka thënë Aliu.
Tash mbetet të shihet nëse ky premtim do të sjellë furnizim të qëndrueshëm me ujë për banorët e Dragashit. Organizatorët e protestës kanë bërë të qartë se, në rast të rikthimit të reduktimeve, protestat do të vazhdojnë. /Telegrafi/


