NATO përfundon samitin në Ankara, miratohet deklarata me gjashtë pika
Në Ankara, ku eksklusivisht në vendin e ngjarjes ishte edhe Telegrafi, sot përfundoi samiti i NATO-s, ndërsa vendet anëtare, pas një takimi dyditor, miratuan një deklaratë të përbashkët që përmban gjashtë pika kryesore.
Në pikën e parë, vendet anëtare zotohen se do të përmbushin detyrimet e tyre, me theks të veçantë te mbrojtja kolektive.
"Ne, krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s, u mblodhëm në Ankara për të riafirmuar përkushtimin tonë të palëkundur ndaj mbrojtjes kolektive, në përputhje me nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit dhe lidhjen transatlantike. Sulmi ndaj njërit konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Uniteti, solidariteti dhe forca jonë kolektive mbeten themeli i paqes, sigurisë dhe prosperitetit për një miliard qytetarë të aleancës sonë të shteteve të lira dhe demokratike. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj qasjes sonë për parandalim dhe mbrojtje në të gjitha 360 gradët", thuhet në deklaratë.
Rusia cilësohet kërcënimi më i madh për Aleancën
Pika e dytë e deklaratës i kushtohet Rusisë, e cila cilësohet si kërcënimi më i madh afatgjatë për NATO-n.
"Për t'iu përgjigjur kërcënimit afatgjatë që Rusia paraqet ndaj sigurisë dhe stabilitetit euroatlantik, si dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga terrorizmi, aleatët po zbatojnë detyrimin e mbrojtjes të dakorduar në Hagë. Gjatë vitit 2025, aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë rritur investimet në nevojat kryesore të mbrojtjes për më shumë se 139 miliardë dollarë", thuhet në dokument.
NATO njoftoi gjithashtu se në Ankara janë deklaruar më shumë se 50 miliardë dollarë blerje të reja ushtarake dhe se aleatët do të zgjerojnë kapacitetet e përbashkëta të prodhimit dhe bashkëpunimin me industrinë e mbrojtjes për të përshpejtuar inovacionin.
Evropa dhe Kanadaja marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen
Në pikën e tretë theksohet se vendet evropiane dhe Kanadaja do të rrisin investimet në mbrojtje dhe do të japin kontribut më të madh në sigurinë kolektive.
"Aleatët evropianë dhe Kanadaja, duke punuar së bashku me Shtetet e Bashkuara, po marrin përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e Aleancës. Parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s bazohen në një kombinim të përshtatshëm të aftësive bërthamore, konvencionale dhe kundër-raketore, të mbështetura nga kapacitetet hapësinore dhe kibernetike", thuhet në deklaratë.
Aleatët theksuan se do të investojnë në sisteme të avancuara ushtarake, përfshirë goditjet precize me rreze të gjatë, mbrojtjen e integruar ajrore dhe kundër-raketore, sistemet pa pilot, teknologjitë moderne dhe inteligjencën artificiale.
Mbështetje për Ukrainën, por pa përmendur anëtarësimin në NATO
Pika e katërt i kushtohet Ukrainës, por pa përmendur mundësinë e anëtarësimit të saj në NATO.
"Ukraina kontribuon në sigurinë transatlantike dhe aleatët mbeten të bashkuar në mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit të saj territorial", thuhet në deklaratë.
Aleatët deklaruan se për vitin 2026 do të ofrojnë 70 miliardë euro pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnime për Ukrainën, ndërsa kanë konfirmuar angazhimin për të ruajtur të paktën të njëjtin nivel mbështetjeje edhe gjatë vitit 2027.
Në këtë kuadër, NATO mirëpriti vendimin e Bashkimit Evropian për sigurimin e financimit shumëvjeçar për Ukrainën përmes huasë për mbështetjen e saj.
NATO kërkon që Irani të mos ketë armë bërthamore
Pika e pestë e deklaratës lidhet me Iranin dhe tensionet në Lindjen e Mesme.
"Aleanca vazhdon t'u përgjigjet dhe t'u përshtatet konkurrencës strategjike, paqëndrueshmërisë së përhapur, kërcënimeve hibride dhe krizave të përsëritura që karakterizojnë mjedisin tonë më të gjerë të sigurisë. Aleatët përsërisin se Irani nuk duhet të posedojë kurrë armë bërthamore dhe i bëjnë thirrje Iranit të respektojë plotësisht lirinë e lundrimit në ngushticën e Hormuzit", thuhet në dokument.
Në pikën e fundit, pjesëmarrësit falënderuan Turqinë për mikpritjen dhe organizimin e samitit.
"Shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen bujare të ofruar nga Turqia. Presim me padurim takimin tonë të ardhshëm", thuhet në pikën e gjashtë të deklaratës së samitit të NATO-s. /Telegrafi/


